Site icon Telegrafi

Ikja nga vetvetja

“Në ditën e pesëqindtë, në këmbët e qytetit u shfaq ajo që s’do të duhej të shfaqej kurrë : vargani i parë i çamëve të shpërngulur. Ishin të pafund, të dëbuar prej grekëve, pas ikjes së gjermanëve, të fajësuar si progjermanë. Fillet pas plojet, gjithkund kishte shenja të saj : gjurmë thikash mbi djepet e foshnjave, pleq të djegur përgjysmë, nuse të nxira nga bloza, nën erën e acartë, që s’e njihte mëshirën” – (Ismail Kadare,“ Darka e Gabuar”)

Legjenda shpjegon, se Gjergj Elez Alia në trupin e tij që e përthekonin shumë plagë, se sa herët frynin stuhitë priste të marrë plagën e dhjetë. Shekulli njëzet e një ishte me fat edhe për ata popuj të ndarë, të cilët bashkëjetesën e kishin vazhdimisht me robërinë, si një model i vetëm i të “ekzistuarit”, që në trupin e tyre mbillte plagë pas plage për të ndodhur vdekja e kamotshme dhe pritshme kolektive si latinët e vjetër.

Në Ballkan po në këtë shekull të çudirave, ndodhi një surprizë, e cila nuk erdhi rastësisht, dhe Gjergji më në fund po e mbyste plagën e dhjetë, dhe, Kosova po bëhej shtet i dytë, jo krejtësisht i shqiptarëve, por edhe i komuniteteve të tjera.

Tani situata ka lëvizur pozitivisht, që fjalët, liri, atdhe dhe shtet njerëzit i kishin konsumuar aq shumë, sa ato do të mbesin nocione historike, dhe në kujtesën kolektive më të përfolura, me mesazhin, që të mos i mbyt harresa tinëzare.

Një fyerje në ceremoninë ushtarake të ushtarëve grek, dhe një reagim nga Merdari i Kosovës dhe disa nga Shqipëria, preken sedrën tonë të vrarë kaherë se a i mbet e kaluara historisë apo jo?
Në gjymtyrët e Gjergj Elezit, edhe pse sot ka më pak plagë, nuk do të thotë se janë mbyllur të gjitha, dhe ato herë pas herë shpërthejnë dhe prekin pjesë tjera të trupit të “liruar” nga to.

Cilat përgjigje të efektshme politike dhe diplomatike nuk i dha Tirana dhe Prishtina, kur në Shkup po promovohet projekti arkitektonik, i cili parashikon ta mbyll nën dry të kaluarën historike të shqiptarëve duke e derdhur atë në forma të ngurta bronzi a përmendoresh? Cilat përgjigje nuk i jep Tirana dhe Prishtina për arrestimet spektakulare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës? Cilat përgjigje nuk i jep Tirana dhe Prishtina, kur nga policia greke burgosen, vriten shqiptarë thuajse për çdo vit në mënyra nga më të ndryshmet?

Imazhet e dëbimit të varganit të emigrantëve shqiptarë para disa vitesh, të shoqëruar me dhunën nga qytet në brendësi të Greqisë, deri në pikën kufitare të Kakavisë, ngjasonin në pamjet e frikshme të viteve të hershme të shpërnguljes tragjike të çamëve.

Hiç ndonjë deklaratë farse të udhëheqësve politik nuk kishte ndonjë reagim serioz të institucioneve relevante as të diplomacisë së plogësht shqiptare, e cila para këtyre situatave rri kokulur.

Kështu u soll edhe me rastin e burgosjes së një të riu shqiptar në burgun e Korfuzit, i cili vdiq si pasojë e torturave më mizore.

Këto situata shtrojnë pyetje se vërtetë a është e zonja Shqipëria të mbrojë jetën dhe dinjitetin e qytetarit të vetë në botë apo jo? Apo edhe Shqipëria dhe Kosova të lodhura nga krizat e brendshme politike dhe ekonomike, paaftësia në konsolidimin e institucioneve, për të cilën mbajnë përgjegjësi, duket se i kanë harruar shqiptarët jashtë kufijve të këtyre dy shteteve, që ende përballen me nocionin liri, barazi, atdhe dhe shtet.

Shumë herë përfaqësuesit e partive, institucioneve nga trojet jashtë këtyre dy shteteve, Shqipëri dhe Kosovë, janë të shtrënguar nga presionet e ndryshme të vizitojnë, Tiranën dhe Prishtinën, dhe largohen të pakënaqur, duke marrë përgjigje politike, se të dy vendet kanë marrë obligime për integrimet evropiane, euroatlantike dhe po “kujdesen” për afirmimin e lirive dhe të drejtave të komunitetit shqiptar jashtë kufijve shtetëror.

E lidhur me obligimet që dalin nga bashkësia ndërkombëtare, Kosova është ende peng i mbikëqyrjes ndërkombëtare, e ndikuar në lëvizjet e brendshme politike, nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të marrë angazhime në mbështetje të pozitës së shqiptarëve në Luginë dhe Maqedoni.

Por koordinimi në rrafshin gjithëkombëtar, në nivel politik dhe të diplomacisë së dy shteteve, mbështetja reciproke e objektivave strategjike për mbarë hapësirën shqiptare, nuk i liron nga përgjegjësia as njërën palë. Pavarësisht nga zhvillimet e brendshme, barrierat që ekzistojnë në këtë periudhë transicioni, do të duhej të kishte diçka të përbashkët, që nuk mund të cenohej nga asnjë strukturë politike në pushtet për hir të një strukture tjetër opozitare.

Shqipëri dhe Kosova si dy shtete në Ballkan, kanë para vetes tri sfida të mëdha, që burojnë nga pozita e pafavorshme politike e shqiptarëve në Luginë, Maqedoni dhe Çamërinë e harruar. Sado që të jemi të mbërthyer me realitetet e brendshme, të cilat po ndryshojnë me një dinamikë të shpërputhshme me vendet në rajon, këto dy shtete nuk mund të ikin nga vetvetja.

(Autori është zyrtar ligjor në Zyrën për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim)

Exit mobile version