Qytetarët e Kosovës po thonë se po largohen nga vendi për një jetë më të mirë. Në anën tjetër, Policia e Kosovës mohon rritjen e numrit të udhëtarëve të cilët kanë për qëllim ikjen dhe migrimin në vendet e BE-së.
Policia njofton se tashmë e ka shtuar kontrollin në të gjitha pikat kufitare të vendit, mirëpo, sipas tyre, nuk është vërejtur numër i madh udhëtarësh, raporton RTK.
Drejtori i Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, Ylber Çitaku, ka dhënë një tjetër informacion mbi masën e qytetarëve të mbledhur në Stacion, në tri netët e fundit.
Duke folur për televizionin publik, Çitaku ka thënë se ka vërejtur se ka pasur grupe të njerëzve të cilët kanë ardhur në Stacion të Autobusëve e që sipas tij, për qëllim kanë pasur nxitjen e njerëzve për të ikur.
“Sa për informacion, kemi përcjellë kamerat që janë të vendosura në Stacion dhe duke mos përjashtuar grupe të caktuara të të rinjve të cilët, pas shiqimit të kamerave në Stacion, është vërejtur se në tri netët e kaluara, një grup prej 15-20 personave të njëjtë kanë qenë këtu duke bërë lëvizje të akorduara ose të çakorduara dhe bëjnë nxitjen e të rinjve për të lëvizur në drejtim të Beogradit”, ka thënë Çitaku për RTK-në.
Lidhur me këtë gjendje, ministrja në detyrë e Integrimit, Mimoza Ahmeti, ka deklaruar se këto lëvizje janë në suaza të normales.