Telegrafi

Ikën shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë

Shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë, gjenerali John Kelly, do të lërë detyrën e tij në fund të vitit. Këtë lajm e ka njoftuar presidenti Donald Trump, duke konfirmuar kështu lajmet e fundit të nxjerra nga mediat mbi dorëheqjen e tij.

Emri i pasardhësit do të njoftohet në ditët në vijim, ku edhe pse Trump i ka kërkuar Kellyt vetëm në korrik të këtij viti që gjenerali të qëndrojë në detyrën e tij edhe dy vjet, kohët e fundit marrëdhëniet mes të dyve janë ftohur, në pikën që aktualisht nuk i flasin më njëri-tjetrit.

I ardhur në detyrë verën e 2017-së, duke zëvendësuar Reince Priebus, në një moment kur në Shtëpinë e Bardhë mbretëronte kaosi, si shef kabineti Kelly nisi të vepronte me grusht të hekurt, mbi të gjitha duke kufizuar aksesin e personelit në studion ovale.

Por, kohët e fundit ndikimi i tij mbi presidentin u zbeh shumë. Gjenerali nuk merrte më pjesë në mbledhjet më delikate dhe e ka prekur mjaft shpesh kufirin e pushimit nga puna.

Kelly ka pasur tensione edhe me Melani Trump, duke refuzuar disa herë promovimet e personave të personelit të Zonjës së Parë, dhe ka shprehur shpesh kritika mbi mënyrat e udhëtimit të shoqëruesve të saj. Ky ka qenë edhe shkaku për të cilin Melanie i është ankuar Trumpit. /Telegrafi/