Presidenti i Zimbabvesë, Robert Mugabe gjendet për momentin në vilën e tij së bashku me të shoqen, Grace.
Ai ka insistuar se do të vazhdojë deri në fund të mandatit.
Diktatori më i vjetër në botë, 93-vjeçari Mugabe gjendet në shtëpinë e tij 10 milionë dollarëshe, të njohur edhe si Çatia Blu.
Burimet thonë se zyrtarët e ushtrisë po mundohen ta bindin që të bëjë një largim me nder nga detyra.
Në negociata është përfshirë edhe një prift katolik.
Ndërkohë është spekuluar se gisht në grushtin e shtetit mund të ketë edhe Kina.
Duket se Kina, pavarësisht se ka qenë mbështetëse e Mugabes, ka dhënë bekimin për këtë veprim.
Mugabe është në pushtet që prej vitit 1980. Por e shoqja, Grace Mugabe është një figurë që revolton më shumë njerëzit.
Të dy u martuan në një ceremoni luksoze në vitin 1996. Njerëzit e quajnë Gucci Grace pasi 52-vjeçarja ka një pasion të shfrenuar për blerjet e shtrenjta.
Së fundmi ajo ishte nën akuzë pasi dhunoi një modele dhe sulmoi një gazetar, që tha se ajo kishte dhuruar mbathjet e saj të përdorura për mbështetësit.
Grace Mugabe ishte projektuar nga i shoqi si pasuese e tij në krye të shtetit. Ajo e nisi aferën me presidentin kur punonte si daktilografiste e tij dhe e shoqja e parë, Sally ishte me një sëmundje të pashërueshme.
52-vjeçarja shpenzoi 5 milionë dollarë fonde shtetërore për dasmën e të bijës.
Së fundmi ajo bleu një Rolls Royce me vlerë 500 mijë USD. Ajo ka shtëpi në Dubai dhe Afrikën e Jugut.
Por shqetësim përbën fakti se njeriu që ka orkestruar grushtin e shtetit, ish-zëvendëspresidenti Emmerson Mnangagwa, mund të mos jetë më i mirë.
Bëhet fjalë për 75-vjeçarin që është një figurë famëkeqe, që njihet me emrin “Krokodili”, përcjell mapo.al.
Kjo për shkak se në vitet ’80 pati orkestruar vrasjen e 20 mijë kundërshtarëve politikë.
Së fundmi ai mbijetoi një përpjekje për helmim me akullore.
Ai është lideri i fraksionit “Lacoste”, sipas emrit të firmës së famshme të rrobave dhe pseudonimit të tij reptilian.