Në fakt, tashmë dihet e pjesë e Prishtinës është sulmuesi i Farizajt, Shkumbin Salihu, ndërkohë që bisedimet janë duke vazhduar edhe për përforcime tjera, por edhe largimet janë të mundshme. Kështu, Mirsad Idrizi i cili erdhi “befas” në Prishtinë, u kthye nga kryeqyteti pothuaj në heshtje, duke mos lënë gjurmë. Në të vërtetë asnjë përforcim i ardhur në fillim të këtij edicionit nuk e ka arsyetuar veten dhe kjo është njëra nga arsyet e dështimit të kampionit në stinorin vjeshtor, andaj është e kuptueshme se disa tashmë janë larguar nga skuadra bardhekaltër. Kjo më parë është bërë me Miftarin e Shalën, e së fundmi edhe me Idrizin.
Sa i përket ardhjeve, pritet që këto ditë në skuadër të kthehet mbrojtësi Akli Makoli, i cili gjatë vjeshtës ishte huazuar te Hajvalia. Përveç tij, Prishtina është duke bërë përpjekje që të përforcohet edhe me dy futbollistë tashmë të dëshmuar. Bëhet fjalë për Qëndrim Dautajn e Ferizajt dhe Xhevdet Shabanin e Dritës. Këtë e konfirmon edhe nënkryetari i klubit Afrim Muçiqi. “ Po është e vërtetë se do ta kthejmë Akil Makollin, por jemi në bisedime edhe për angazhimin e dy futbollistëve, Qëndrim Dautajn dhe Xhevdet Shabanin. Mendoj se me këtë përforcime do ta presim pranverën shumë më të fortë dhe natyrisht do të luftojmë për titullin e kampionit”, tha Muçiqi.
Qëndrim Dautaj ishte njëri ndër futbollistët më të dalluar jo vetëm të Ferizajt, por edhe në Superligë gjatë stinorit vjeshtor. Është edhe në mesin e atyre që do të konkurrojnë për futbollistin më të mirë të vitit. Ai e pranon se ka pasur diçka rreth Prishtinës, por deri tash nuk është konkretizuar asgjë.
“ Nuk di çka të them, njëherë kam pasur një thirrje telefonike dhe kjo është e tëra. Është e vërtetë se unë nuk kam më kontratë me Ferizajn, por i kam borxh skuadrës që së pari të bisedojë me drejtuesit e kësaj skuadre, pasi këtë gjashtë muaj kam kaluar shumë mirë këtu. Kuptohet se më pas Prishtina është opsioni i parë”, thë Qendrim Dautaj.
Paraqitjet e mirë të Xhevdet Shabanit në stinorin vjeshtor, janë befasi vetëm për ata që nuk e kanë njohur mirë. Në fakt, Shabani edhe në fanellën e Lepencit ish futbollisti më i dalluar. Për këtë arsye është e kuptueshme që edhe Prishtina ka dëshirë ta shoh në radhët e veta. Megjithatë, për dallim nga Dautaj, Shabani ka kontratë me Dritën deri në qershor të vitit të ardhshëm dhe pa pëlqimin e klubit nuk mund të kaloi në kryeqytet.
“ Unë nuk kam kontaktuar me drejtuesit e Prishtinës, por e di se dy klubet kanë biseduar. Tash për tash nuk kam informata se a janë marr vesh. Nëse kjo bëhet me gjithë dëshirë do të kaloja në radhët e Prishtinës, të paktën edhe si huazim për 6 muaj. Nëse largohem nga Drita, përveç Prishtinës nuk besoj se do të shkoja diku tjetër, vetëm po të më ofrohen vërtetë kushte shumë të mira”, tha Xhevdet Shabani. /Tribuna/Telegrafi/