Site icon Telegrafi

IKD: Sistemi i drejtësisë në kaos për ndjekjen dhe gjykimin e fenomenit të armëmbajtjeve pa leje

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, ka publikuar raportin: “(Pa) ligjshmëria e gjykimit të armëmbajtjes pa leje”.

Sipas njoftimit për media thuhet se gjetjet e analizës së IKD-së, tregojnë se armëmbajtja pa leje është një fenomen mjaft prezent në shoqërinë kosovare, ashtu që kësaj dukurie i atribuohen një sërë krimesh të rënda të kryera në Kosovë që nga paslufta e deri më sot. Këto armë pa leje janë jashtë sferës së kontrollit institucional, dhe në shumë raste pamundësojnë zbulimin dhe identifikimin e kriminelëve.

“Raportet e publikuara nga organizatat ndërkombëtare, kanë ndezur alarmin për një numër të madh të armëve pa leje të cilat ndodhen në duart e kosovarëve. Po ashtu, kjo reflektohet edhe në statistikat zyrtare të publikuara nga Policia e Kosovës, ku është evidentuar se çdo vit ka rritje të numrit të armëve pa leje të cilat janë sekuestruar nga policia, gjatë operacioneve të ndryshme policore.

Qeveria e Republikës së Kosovës akoma nuk ka arritur të fitojë besimin e qytetarëve që pa autorizim posedojnë armë, në mënyrë që ata të aplikojnë për legalizim të armëve pa leje. Kjo kampanjë, e filluar në dhjetor të vitit 2018, zgjati plot nëntë muaj, deri në shtator 2019 dhe ka rezultuar të jetë një dështim, pasi që brenda kësaj periudhe në drejtim të Ministrisë së Punëve të Brendshme kishin arritur vetëm 1.800 kërkesa, numër ky i cili nuk përkon me numrin real të armëve pa leje, të cilat eventualisht kanë mundur të jenë subjekt i legalizimit”, thuhet në njoftim.

IKD vlerëson se rreziku që i kanoset shoqërisë nga armët nuk ka qenë ekuivalent me politikën ndëshkimore të zbatuar nga gjykatat karshi kryerësve të këtyre veprave penale. Kjo ngase gjykatat tona edhe gjatë viteve 2018 dhe 2019, për këtë kategori të veprave penale kanë shqiptuar shumë më tepër dënime me gjobë e me kusht, kundrejt atij me burgim.

“Ky raport, krahas të dhënave të përgjithshme mbi veprat penale të armëve, në fokus qendror të tij ka kompetencën e gjykatave në trajtimin e armëmbajtjes pa leje, për periudhën kohore 1 Janar 2016 – 31 Dhjetor 2019.
Si rrjedhojë e këtij hulumtimi, IKD ka gjetur se ekziston një kaos gjyqësor tek gjykatat themelore sa i përket respektimit të kompetencës lëndore tek gjykimi i armëmbajtjes pa leje.

Fillimisht, Ligji nr. 03/L-199 për gjykatat, i cili është i shfuqizuar tashmë, nuk kishte përcaktuar në mënyrë shprehimore se kjo vepër penale gjykohej në DKR, ndërsa Kodi i procedurës penale në nenin 22 kishte listuar këtë vepër penale si krim të rëndë, që binte në kompetencë të DKR-së. Me qëllim që të evitoheshin këto dilema se në cilin departament duhej gjykuar armëmbajtja pa leje, Gjykata Supreme në shtator të vitit 2016 kishte nxjerrë një mendim juridik, sipas të cilit armëmbajtja pa leje duhet të gjykohej në DP. Mirëpo me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për gjykatat në janar 2019, ky mendim juridik ka pushuar të vlejë, pasi që ligji aktual, në nenin 19 ka përcaktuar se “Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore i gjykon veprat penale të dënueshme mbi dhjetë (10) vite, si dhe veprat penale që konsiderohen krime të rënda sipas Kodit Penal apo Kodit të Procedurës Penale”.

Mirëpo edhe pas këtyre ndryshimeve ligjore, sistemi gjyqësor kosovar ka vazhduar të mos jetë unik sa i përket gjykimit të armëmbajtjes pa leje, pasi shumë nga gjykatat kanë vazhduar t’i referohen mendimit juridik, edhe përkundër faktit se ligji i ri për gjykatat kishte ofruar zgjidhjen ligjore adekuate për këtë çështje”, thuhet më tej në njoftim.

Për të pasqyruar divergjencat ndërmjet gjykatave në gjykimin e armëmbajtjes pa leje, IKD ka analizuar 475 aktgjykime të veprës penale “armëmbajtjes pa leje”, të nxjerra gjatë viteve 2016-2019, të cilat aktgjykime i përkasin të gjitha gjykatave të Republikës së Kosovës.

Nga 425 aktgjykime të nxjerra nga gjykatat themelore dhe degët e tyre përgjatë periudhës Janar-Nëntor 2019, IKD ka gjetur se 197 aktgjykime janë gjykuar në DKR, ndërsa 228 sosh janë gjykuar në DP e këtyre gjykatave. Ndërsa, në analizimit e 50 aktgjykimeve të Gjykatës së Apelit, IKD ka gjetu se 39 raste të armëmbajtjeve pa leje janë gjykuar në DKR, ndërsa 11 sosh janë gjykuar në DP.

“Pas analizës së këtyre aktgjykime të nxjerra në shkallë të parë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, IKD ka gjetur se GjTh në Gjilan është e vetmja gjykatë që ka gjykuar këtë vepër penale në një departament të vetëm përgjatë periudhës hulumtuese, duke i trajtuar këto lëndë në kuadër të DKR-së. Nga analiza e aktgjykimeve të shpallura në vitin 2019 ka rezultuar se GjTh në Gjilan dhe GjTh në Ferizaj, janë duke e gjykuar këtë vepër penale vetëm në DKR, ndërsa GjTh në Prizren, Gjakovë, Mitrovicë, Pejë janë duke e gjykuar armëmbajtjen pa leje në DP. Nga analiza e aktgjykimeve të nxjerra nga GTh në Prishtinë, si gjykata më e madhe në vend gjatë 2019-ës, del se armëmbajtja pa leje është gjykuar në dy departamente, në DP dhe DKR.

Me qëllim të pasqyrimit më të qartë të kësaj tematike, IKD ka realizuar edhe 29 intervista, prej të cilave 24 intervista janë zhvilluar me udhëheqës të gjykatave themelore dhe degëve të tyre, si dhe janë intervistuar kryetari i Gjykatës Supreme dhe një gjykatëse nga kjo gjykatë, kryetari i Gjykatës së Apelit, prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe ish-kryetari i Gjykatës Supreme. Nga këto përgjigje të pranuara nga krerët e sistemit gjyqësor, IKD ka rikonfirmuar të dhënën tanimë të njohur, se ata janë referuar në baza të ndryshme ligjore për të arsyetuar kompetencën lëndore të gjykatave në gjykimin e armëmbajtjes pa leje”, thuhet në njoftim.

Angazhimi i IKD-së për evitimin e këtyre divergjencave dhe krijimin e një praktike unike të gjykatave në gjykimin e armëmbajtjes pa leje ka arritur efektin e dëshiruar. Kjo ngase, Gjykata e Apelit, si gjykatë kompetente për unifikimin e praktikës gjyqësore, nisur nga shqetësimet e ngritura nga IKD për këtë problematikë, më 26 shkurt 2020, në takimin e mbajtur me gjyqtarët penalist të kësaj gjykate mori vendim që vepra penale e armëmbajtjes pa leje, e inkriminuar sipas nenit 374 të KPRK-së, përkufizim ky i cili tani është identik me nenin 366 të kodit të ri penal, bazuar në dispozitat ligjore të Ligjit për Gjykatat dhe lidhur me nenin 22 të kodit të procedurës penale, është në kompetencë të Departamentit të Krimeve të Rënda, dhe si e tillë duhet të gjykohet në këtë departament. /Telegrafi/

Exit mobile version