Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësim të thellë pas bojkotit të shumicës parlamentare, përfaqësuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, në tri seanca të jashtëzakonshme të thirrura nga opozita.
Këto seanca ishin thirrur për të diskutuar tema me interes të lartë publik, si komunikimet e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, me Milan Radoiçiq, mungesën e ushqimit në Ushtrinë e Kosovës dhe përllogaritjen e borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit dhe mënyrën e shlyerjes së këtyre borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Sipas IKD-së, “bojkoti përbën një shkelje të besimit të qytetarëve dhe detyrave dhe përgjegjësive si deputet të Kuvendit të Kosovës dhe si partia më e madhe parlamentare”.
Instituti thekson se kjo qasje dëmton rëndë vlerat demokratike të Republikës së Kosovës dhe cenon procesin demokratik të qeverisjes.
IKD konsideron se debatet parlamentare janë “shtyllë e rëndësishme e demokracisë dhe përfaqësimit demokratik,” dhe thekson se deputetët kanë obligimin të marrin pjesë aktive në diskutimin e çështjeve me rëndësi për qytetarët.
“Bojkoti i këtyre seancave jo vetëm që ul integritetin e Kuvendit, por përbën një injorim ndaj qytetarëve të Kosovës”, thuhet nw reagimin e IKD-sw.
Instituti i Kosovës për Drejtësi thekson se kjo qasje pengon rrugën integruese të Kosovës në strukturat euro-atlantike.
Po ashtu, IKD ka shprehur shqetësim për mungesën e vazhdueshme të Kryetarit të Kuvendit në drejtimin e këtyre seancave të jashtëzakonshme.
IKD i bën thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që “të largohet nga rruga e bojkotit kundërkushtetues” dhe që të gjitha partitë politike të përmbushin detyrimet e tyre që rrjedhin nga Kushtetuta e Kosovës dhe vlerat demokratike në rrugën drejt integrimit evropian. /Telegrafi/