Site icon Telegrafi

IKD: Gjykatësit aplikojnë metodën “copy-paste” në hartimin e aktgjykimeve në rastet administrative

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin “Drejtësia Administrative në Kosovë gjatë vitit 2019”, ndërsa thuhet se gjykatësit vazhdojnë të aplikojnë metodën “copy paste” në hartimin e aktgjykimeve në rastet administrative.

Gjetjet e analizës së IKD-së, tregojnë se trajtimi i padive ndaj shtetit nga sistemi gjyqësor i Republikës së Kosovës po merr tatëpjetën vazhdimisht.

“Kjo tatëpjetë argumentohet me anë të dy faktorëve: fillimisht, ngarkesa aktuale e këtij departamenti nuk garanton trajtim efikas të lëndëve, siç do të shihet më poshtë. Trajtimi i lëndëve jo brenda një afati të arsyeshëm, më së paku paraqet shkelje të kushtetutës. Andaj, gjendja aktuale nuk është një gjendje solide. Ndërsa, pikërisht kjo gjendje po vazhdon ende përkeqësimin, duke mos dhënë sinjale pozitive për progres”, thuhet në njoftim.

Sipas statistikave të siguruara nga monitorimit i IKD-së, paditë më të shpeshta në gjykatë gjatë vitit 2019 kanë qenë ndaj MPMS-së  lidhur me kërkesat për pensione dhe më të rralla ato me të cilat kontestohen vendimet e Inspektoratit të Punës.

Ndërsa, nuk mungojnë rastet edhe ndaj KPMSHCK, ku palët e pakënaqura me vendime lidhur me vendet e tyre të punës kanë kërkuar nga Gjykata  realizimin e të drejtave të tyre. Padi të shumta janë bërë edhe ndaj Doganës së Kosovës dhe ATK-së, raste me të cilat merret divizioni fiskal në kuadër të DÇA-së.

“Përderisa si qëllim kryesor i sistemit gjyqësor proklamohet të jetë ulja e numrit të lëndëve, fundi i vitin 2019 i ka gjetur DÇA-të me numër më të madh të lëndëve se sa në fillim të këtij viti. Përderisa gjyqtarët e DÇA të Gjykatës së Apelit (GjA) mesatarisht e kanë tejkaluar normën vjetore të kryerjes së lëndëve, këtë normë sipas mesatares nuk e kanë arritur gjyqtarët e DÇA të GjTh në Prishtinë”, thuhet më tej.

Në DÇA të GjTh në Prishtinë sipas të dhënave statistikore të kësaj gjykate, kohëzgjatja e trajtimit të një rasti prej momentit kur padia paraqitet në gjykatë e deri në ditë kur merret vendimi nga e njëjta është 786.95 ditë, pra që sipas formulës së KGJK-së i bie që ky Departament ka zgjidhur lëndët me efikasitet prej 92.95%.

Në anën tjetër, nga monitorimi i DÇA të GjTh në Prishtinë, IKD ka gjetur një mbajtje “shabllon” të seancave gjyqësore, duke mos bërë që të njëjtat seanca të arrijnë qëllimin për një drejtësi më të mirë.

Në këtë drejtim, gjyqtarët e këtij departamenti caktojnë seancat gjyqësore njërën pas tjetrës, me një diferencë prej 15 apo 30 minutave, duke mos u dhënë palëve kohë të mjaftueshme për të paraqitur pretendimet e tyre.

IKD thekson se e drejta kushtetuese e qytetarëve për mjet efektiv ligjor vazhdon të mbetet një normë kushtetuese e shkelur në vazhdimësi, derisa mënyra e veprimit të DÇA-ve duke kthyer lëndët përsëri në organet administrative është bërë burim i zvarritjes së qytetarëve për realizimin e të drejtave të tyre.

Sipas të dhënave që IKD ka nxjerrë pas analizimit të aktgjykimeve aprovuese, është gjetur se mbi 90% e këtyre aktgjykimeve janë aktgjykime sipas të cilave rasti kthehet në rivendosje në organin administrativ.

“Krahas seancave të monitoruara, IKD gjatë vitit 2019 ka mbledhur dhe analizuar afërsisht 100 aktgjykime nga rastet administrative të trajtuara nga DÇA i GjTh në Prishtinë. Nga analiza e aktgjykimeve, IKD ka gjetur se të njëjtat nuk përmbajnë arsyetim të mjaftueshëm, në atë mënyrë që palët dhe publiku realisht të kuptojnë dhe të binden për arsyet e vendosjes si në dispozitivin e një aktgjykimi. Përderisa standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira theksojnë rëndësinë e aktgjykimit të arsyetuar, IKD në këtë raport gjen aplikim të metodës ‘copy-paste’ në hartimin e aktgjykimeve në rastet administrative”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, IKD gjen se përballë obligimit të gjykatave që të publikojnë të gjitha aktgjykimet, GjTh në Prishtinë nuk ka publikuar gjithsej 2,672 aktgjykime administrative, derisa GjA nuk ka publikuar gjithsej 696 aktgjykime. /Telegrafi/

Exit mobile version