Site icon Telegrafi

IKD: Gjykata Kushtetuese joefikase në trajtimin e të drejtave të viktimave të dhunës në familje

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës është adresa e fundit ku qytetarët dhe palët tjera mund të drejtohen për mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe Kushtetutës në përgjithësi. Por Gjykata Kushtetuese është duke dështuar të shërbejë si gardian adekuat i Kushtetutës, duke vonuar të zgjidhë rastet në kohë të arsyeshme.

Kështu thuhet në një komunikatë të Instituti të Kosovës për Drejtësi.

“Dje, më 13 korrik 2022, u bënë një vit që kur rasti i njohur i të ndjerës Sebahate Morina u dërgua në Gjykatë Kushtetuese. E ndjera u vra nga ish-bashkëshorti i saj në lagjen Emshir në Prishtinë më 14 mars 2021, për çka fëmijët e saj iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se autoritetet shtetërore kishin shkelur përgjegjësitë e veta duke dështuar të mbrojnë jetën e viktimës.

E drejta për jetë konsiderohet ndër të drejtat më themelore të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).

Vendosja efikase e këtij rasti do mund të transformonte rrënjësisht mënyrën se si autoritetet shtetërore i qasen rasteve të dhunës në familje, ngjashëm me efektin që kishte rasti i Diana Kastratit KI 41/12 në vitin 2012.

Kjo do të shërbente që autoritetet shtetërore të ishin më të përgjegjshme në trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe të mbronin në mënyrë adekuate të drejtat e viktimave. Për më tepër, rasti i Sebahate Morinës paraqet mundësinë e Gjykatës Kushtetuese që të vendosë meritorisht për herë të parë lidhur me dispozitat e Konventës së Stambollit, të inkorporuar në Kushtetutën e Kosovës më 2020. Megjithatë, pas një viti, nuk ka ende asnjë vendim”, thuhet në reagimin e IKD-së.

Sipas Institutit, vonesat në rastin e rëndësishëm të Sebahate Morinës nuk përbëjnë çështje të izoluar.

“Edhe raste të tjera të rëndësishme ende presin në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese, siç është rasti në të cilin kontestohen rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 në komuna të caktuara të Kosovës, lidhur me të drejtën themelore të komuniteteve joshumicë në vend për përfaqësim efektiv në jetë publike dhe vendimmarrje. Kanë kaluar 16 muaj dhe ende nuk ka një vendim.

Në fakt, nga analiza e bërë vendimmarrjes së viteve të fundit të Gjykatës Kushtetuese, vërehet se mesatarisht Gjykatës Kushtetuese i duhen 14 muaj për të marrë një vendim. Këto të dhëna janë shqetësuese”, thuhet më tej.

Sipas IKD-së, është i mirëkuptueshëm fakti që Gjykata Kushtetuese mund edhe të vonohet në raste të caktuara, për shkak të kompleksitetit të çështjeve pranë saj (Komisioni i Venecias, CDL-AD(2021)001, para. 142), por sipas tyre kjo duhet të jetë përjashtim i rrallë, e jo rregull, ashtu që të mos cenohet (në veçanti) mbrojtja e të drejtave të njeriut përmes drejtësisë kushtetuese.

“Siç vërehet në raportet vjetore të Gjykatës, viteve të fundit Gjykata Kushtetuese pranon rreth 200-250 kërkesa të palëve në vit, ndërkaq nxjerrë vetëm 20-30 aktgjykime meritore (kurse vendimet tjera janë kryesisht aktvendime për papranueshmëri). Me gjithë këto shifra të ulëta, është brengosëse që institucioni përfundimtar në interpretimin e Kushtetutës vonohet kaq shumë në zgjidhjen e rasteve…”, thuhet ndër të tjera në reagim. /Telegrafi/

 

Exit mobile version