Telegrafi

Igli Tare: Roma dhe Mourinho duhet të mësohen ta pranojnë humbjen

Drejtori sportiv i Lazios, shqiptari Igli Tare i kërkoi Romës që ta lërë pas humbjen e derbit pas komenteve të trajnerit Jose Mourinho dhe drejtorit Tiago Pintos.

Lazio fitoi 3-2 në përballjen derbi të së dielës në Serie A, por Mourinho përsëri iu referua asaj loje pas një fitore 3-0 të Ligës së Evropës në udhëtim te Zorya.

Trajneri këmbënguli se ata kishin “dominuar” derbin kryeqytetas dhe e cilësoi Lazion si skuadër të vogël.

Lexo po ashtu Mourinho thumbon Lazion: E rëndësishme që u rikthyem te fitorja pas humbjes nga një skuadër e vogël

“Nuk më pëlqen ajo që bëri Roma pas përfundimit të ndeshjes, ishte një befasi t’i shihja ata ende duke folur për gabimet e gjyqtarëve katër ditë më vonë kur, nëse kishte ndonjë gabim, ata ishin të dëmshëm për Lazion”, ka thënë fillimisht Tare për Sky Sport Italia.

“Duhet të mësosh të pranosh humbjen dhe të nxjerrësh më të mirën nga vetja, gjë që bëri Roma sot (e enjte) me fitoren e tyre”.

Lexo po ashtu Mourinho shpërthen për humbjen në derbi ndaj Lazios: Gjyqtari dhe VAR prishën gjithçka, mungon një penallti dhe një karton i kuq

“E tëra çfarë ju duhet të bëni është ta analizoni atë rast pas rasti për të parë që nuk ka pasur gabime nga gjyqtarët kundër Romës. Nëse ka ndonjë gjë, ata ishin kundër Lazios”.

“Kishte një penallti që nuk na ishte dhënë, nuk kishte asnjë arsye për të kërkuar që Lucas Leiva të përjashtohej, dhe penalltia ndaj Nicolo Zaniolo u pa vetëm nga Irrati në dhomën e VAR-it”, përfundoi drejtori sportiv shqiptar. /Telegrafi/