Telegrafi

Igli Hasani në Pragë: Mos e largoni vëmendjen nga Ballkani Perëndimor

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, konfirmoi sot përkushtimin e vendit të tij ndaj NATO-s, në takimin joformal të Ministrave të Punëve të Jashtme të Aleancës Veri-Atlantike në Pragë.

Ai tha se NATO duhet të jetë më pranë Ballkanit Perëndimor, pasi kjo kontribuon në paqen dhe stabilitet.

“Ndërsa përgatitemi për Samitin e NATO-s në Uashington, besojmë se ai do t’i jep Ballkanit Perëndimor vëmendjen që meriton, veçanërisht përballë sfidave të jashtme të sigurisë. Shqipëria mbetet e vendosur për të luajtur rolin e saj si aleate e palëkundur e vlerave euroatlantike”, ka shkruar Hasani në Facebook.

Ai ka bërë të ditur se në takimin e sotëm jozyrtar, ministrat e Jashtëm të NATO-s ri-konfirmuam mbështetjen e palëkundur për Ukrainën e lirë dhe sovrane, si dhe angazhimin për të forcuar mbrojtjen kolektive.

Ndryshe, ky është takimi i fundit në nivel të ministrave të jashtëm në parapërgatitje të Samitit të Uashingtonit. Ministrat aleatë trajtuan progresin e vendimeve të marra në Samitin e Vilniusit për ruajtjen e paqes dhe vazhdimin e ndihmave për Ukrainën.