Site icon Telegrafi

Idrizi premton ndëshkim për gjyqtarët papunëtorë (Video)

Kryesuesi i ri i Këshillit Gjyqësor të Kosovë, Nehat Idrizi dhe Kujtim Kerveshi, njohës i fushës së drejtësisë, kanë folur për problemet dhe sfidat me të cilat po përballet gjyqësori në Kosovë.

Idrizi, duke folur për efikasitetin e gjyqtarëve, ka thënë se deri më tani nuk ka dëgjuar të jetë ndëshkuar ndonjë gjyqtar për mospunë apo për mospërmbushje të normës.

“Asnjë gjyqtar deri më sot nuk është ndëshkuar për mospunë ose për mospërmbushje të normës. Së paku unë nuk kam dëgjuar të jetë ndëshkuar ndonjë. Mirëpo, tash e tutje do të jetë ndryshe”, tha Idrizi, në emisionin “Puls” të KTV-së, raporton Koha.net.

Për momentin, Idrizi tha se gjykatat janë duke gjykuar kryetarë Komunash, shefa të OSHP-së, sekretarë e kryeshefa.

Duke folur për problemet me të cilat po përballen punonjësit e Pallatit të Drejtësisë, Kujtim Kerveshi, njohës i fushës së drejtësisë, tha se gjykatësit nuk janë në gjendje të mendojnë lirshëm për shkak të mungesës së oksigjenit.

Kjo gjendje në këtë objekt, sipas Kerveshit, është alarmante.

Nehat Idrizi, kryesues i KGJK-së, tha se është bërë një ekspertizë për cilësinë e ajrit brenda në Pallatin e Drejtësisë nga kompania “Luiz Berger” dhe thuhet që cilësia e ajrit është e mirë por “unë do të kërkoj që të bëhet një ekspertizë e pavarur ndërkombëtare për këtë çështje duke e ditur se ka probleme me ajrosje, ka alivanosje të shpeshta”.

Njohësi i fushës së drejtësisë, Kujtim Kerveshi, tha se gjyqtarët nuk mbajnë raport të njëjtë, si me prokurorin, ashtu edhe me palën, gjë që, sipas tij, është “diskriminim”.

Kurse Nehat Idrizi tha se gjykatësi dhe prokurori nuk guxojnë të takohen as para e as pas seancës.

“Në rast se ndodh një takim i tillë, edhe pse nuk përjashtohet mundësia, duhet të lajmërohen tek prokurori disiplinor”, theksoi Idrizi, i cili potencoi se në fund të këtij viti do të del konkursi për të gjithë kryetarët e gjykatave.

Exit mobile version