Kur ti nuk je i zoti të lëvrosh arën, atë ose do ta mbys bari i keq dhe therët ose do ta punojë dikush tjetër. Shqiptarëve përgjithësisht gjatë historisë së tyre ju ka munguar agresiviteti politik dhe diplomatik, hiq agresivitetin në mes vete. Ne mobilizohemi vetëm atëherë kur rrezikohet qenia e jonë, e në këtë çështje për dreq mu kujtua një shaka e një miku një ditë kur po flisnim për racën tonë: Ai më tha se ne ose kishim prejardhjen nga bibani ose i ngjanim shumë atij, sepse vetëm kur na fishkëllen dikush ne krekosemi, pastaj qetësohemi shpejt dhe për një kohë të gjatë. Përndryshe nuk kemi pas dhe me gjasë as nuk do të kemi një Konstantë të të bërit politikë dhe diplomaci. Në këtë moment historik kur shqiptarët më së shumti, falë interesave gjeostrategjike të SHBA-së kanë arrit disa suksese si Shtetin e Mbikëqyrur të Kosovës dhe hyrjen në NATO të Shqipërisë, po i përcjellin disa rreziqe të cilat mund t’i cenojnë dhe zhbëjnë këto dy suksese jo autoktone ose për të mos fituar urrejtjen e super patriotëve, këto dy suksese detyrohem t’i quaj të përbashkëta me faktorin ndërkombëtar.
Këto ditë është çuar shumë pluhur rreth deklaratave të serbit të “moderuar” dhe pro evropian Tadiq, lidhur me ridefinimin e kufijve ballkanik dhe pajtimit historik me shqiptarët. Në dukje të parë dhe për patriotët naiv, kjo deklaratë është shumë joshëse dhe entuziaste, por çka fshihet në të vërtetë pas kësaj deklarate: Fillimisht, Zoti Tadiq e din mirë se konjukturat botërore politike, diplomatike dhe gjeostrategjike janë në favor të shqiptarëve deshi apo nuk deshi zoti Tadiq dhe deshëm ne apo s’deshëm si shqiptarë, kështu që në pamundësi për të ndikuar ose stopuar këto rrjedha, ai bën lojën e padronit të Ballkanit dhe josh shqiptarët me hipotezën se problemet në Ballkan janë çështje e këtyre dy kombeve gjoja më të fuqishme.
Tadiqi në këtë rast ka disa qëllime kryesore: Të nxisë egon dhe megalomaninë shqiptare se ne jemi vërtetë fuqi ballkanike, të minimizojë rolin e kombeve tjera me të cilët shqiptarët kanë çështje të pambyllura si me Maqedonasit, Grekët dhe Malazeztë. Kështu, në këtë frymë ideja e Tadiqit bëhet sa e rrezikshme po aq edhe monstruoze. Prandaj, përmes kësaj ideje, Tadiqi kërkon një luftë ballkanike kur ne ende nuk jemi konsoliduar si komb, dhe në vend të një fitoreje kombëtare do të korrnim një humbje kombëtare me turp dhe me pasoja shekullore. Tadiqi për ata që mund të qartësojnë vizionin e tij e ka parasysh gjendjen e rëndë të Maqedonisë ose të maqedonasve në aspektin e Identitetit kombëtar, pastaj gjendjen e rëndë politike dhe sociale të shqiptarëve në Maqedoni ku “pajtimi” ose konflikti i dëshiruar sipas Tadiqit do të involvonte së paku pesë shtete ballkanike përveç Serbisë, Shqipërinë, Maqedoninë, Bullgarinë, Greqinë dhe Kosovën.
Pastaj Tadiqi si përfaqësues i denjë i Nikolla Pashiqit, i cili para Evropës kishte qarë (e vërtetë historike) me lot për fatin e serbëve, njëkohësisht me veprime luftarake, dhunuese dhe barbare duke zhbërë fizikisht shqiptarët dhe trojet e tyre, e njeh mirë gjendjen në Jugun e Shqipërisë, dhe bashkëpunon ngushtë me grekët që të Amortizojë çështjen çame duke ushqyer apetitin edhe ashtu të madh grek për jugun shqiptar, kështu që shqiptarët në vend se të marrin atë që është e tyre, do të detyrohen të japin hisenë e vet shekullore. Loja e Tadiqit vazhdon Përmes injorimit të Malazezëve dhe Maqedonasve duke favorizuar vendin e tij Serbinë dhe Greqinë si mike dhe aleate natyrore, njëkohësisht duke marr rolin e tutorit, duke shpërfillur dhe injoruar deri në skajshmëri këto dy shtete dhe duke folur në emër të Maqedonisë dhe Malit të Zi me qëllim të ngritjes dhe nxitjes së armiqësive të vjetra mes tyre dhe shqiptarëve.
Po, cilat janë favoret e Serbisë në aspektin Strategjik: E para të pengohet konsolidimi i pavarësisë së Kosovës dhe shtrirja e sovranitetit të saj, dhe, e dyta, përmes sindromit grek që duke kërkuar atë që s’të përket ta mbash atë që e ke marrë pa të drejt si rasti i Çamërisë e që për Serbinë është jo Lugina e Preshevës siç mendojnë disa shqiptarë, por përveç saj, çështja është më shumë te e drejta historike e Nishit, Vrajës, Toplicës dhe e Kurshumlisë, sepse kontrata historike fatale e marrëveshjes qindvjeçare e mbrojtur dhe e sponsorizuar nga Evropa e atëhershme për ndarjen dhe copëtimin e vilajeteve (tokave) shqiptare skadon në vitin 2012-2013. Dhe Tadiqi duke pas parasysh këtë skadim kontrate, gjoja si një shpëtimtar i vorbullës së zjarrtë ballkanike tenton që të fus në lojën e përgjakshme shqiptarët, që në këtë moment favorizues për ne, të ngarkojë mbi shpinën tonë tërë konfliktin, luftën dhe urrejtjen ballkanike në mënyrë që të përfitojë sikurse sot e një qind vjet më parë.
Do të ishim në gjendje si komb, të bënim një ridefinim të padrejtësive historike kundër nesh dhe një kompromis të quajtur pajtim historik mes shqiptarëve, serbëve dhe të gjithë fqinjëve tanë, në mënyrë demokratike, me dialog dhe marrëveshje vetëm atëherë kur të ndodhte bashkimi Shqipëri Kosovë, sepse atëherë do të kishim një shtrirje solide gjeografike, gjeostrategjike, gjeoekonomike dhe gjeopolitike, një ekonomi dhe një treg të konsoliduar dhe të mjaftueshëm për veten dhe të tjerët, resurse të mjaftueshme humane dhe të tjera, kështu që do të ishim në gjendje t’i bënim ballë me lehtësi sfidave të sigurisë ballkanike dhe më gjerë. Vetëm kështu do t’i dëshironim mirë se ardhje dhe suksese zotit Tadiq në pajtimin jo vetëm shqiptaro-serb, por edhe ballkanik, si dhe në ridefinimin e kufijve ballkanik, aq të domosdoshëm sidomos për ne shqiptarët.
(Autori është udhëheqës i Divizionit për Analiza dhe Planifikim Emergjent në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent – Ministria e Punëve të Brendshme)