Në Trier, Gjermani, Luna, një përkrahëse e vetë-përshkruar e “MAGA Trump” nga Wisconsin, ka fituar një numër të madh ndjekësish që kur u bashkua në rrjetin social X (ish-Twitter) në mars.
Kronika e saj është bërë një zë dixhital për lëvizjen “Make America Great Again”, duke lavdëruar kandidaturën e ish-Presidentit Donald Trump për rizgjedhje, promovuar teoritë e konspiracionit rreth kundërshtarit të tij, dhe duke përhapur pikëpamje republikane për pothuajse 30,000 ndjekësit e saj. Por Luna nuk është e vërtetë. Fotot e buzëqeshura të brunetës të postuara në llogarinë @Luna_2K24 janë të Debbie Nederlof, një influencuese e modës me shtetësi gjermane që jeton në anën tjetër të Atlantikut dhe nuk do të votojë në zgjedhjet presidenciale të ShBA-së në nëntor.
Kur CNN kontaktoi Nederlof-in, një optikë e trajnuar dhe nënë e vetme që punon dy punë – si menaxhere e rrjeteve sociale në një firmë inxhinierike dhe si modele për të mbledhur para për fëmijën e saj – ajo ishte e zemëruar dhe e frustruar.
“Të jem e sinqertë, ‘çfarë dreqin?’ ishte reagimi im. Sepse nuk kam asnjë lidhje me Shtetet e Bashkuara. Me Trump-in, me gjërat politike atje. Çfarë dreqin më intereson mua – nga një vend i vogël në Gjermani – për politikën amerikane?”, tha ajo.
Nederlof është një nga 17 gra të vërteta evropiane —influencuese mode dhe bukurie nga Holanda, Danimarka dhe deri në Rusi—që fotot e tyre online janë vjedhur për të promovuar Trump-in dhe zëvendësin e tij, Senatorin JD Vance të Ohio-s, në X (ish-Twitter), sipas një hetimi të CNN dhe CIR (Qendra për Reziliencë të Informacionit). CIR është një ndërmarrje sociale e pavarur dhe jofitimprurëse që përshkruan vetën si të përkushtuar për të ekspozuar abuzimet me të drejtat e njeriut.
Ekspertët thonë se kjo mund të jetë vetëm maja e ajsbergut. Një analizë e 56 llogarive pro-Trump tregon një model sistematik të sjelljes jo-autentike. Të gjitha llogaritë përdorin fotografi të vajzave të reja dhe të bukura – shumë prej tyre të vjedhura, ndërsa të tjerat duket të jenë gjeneruar nga AI – të cilat deklarojnë mbështetjen e tyre për Trump-in dhe përdorin hashtag-e si #MAGAPatriots, #MAGA2024 dhe #IFBAP (I Follow Back All Patriots). Në shumë raste, CNN dhe CIR gjetën se imazhet ishin manipuluar për të shtuar slogane Trump dhe MAGA në veshjet e markave të ndryshme.
Llogaritë gjithashtu postojnë mesazhe të ngjashme, të cilat shpesh përfshijnë gabime në anglisht (një shenjë e mundshme e ndërhyrjes së huaj, sipas ekspertëve), dhe ndonjëherë ripostojnë njëra-tjetrën. Më shumë se 24 orë para publikimit, X hoqi shumicën e llogarive. CNN gjithashtu kontaktoi pothuajse të gjitha gratë evropiane të vërteta të identifikuara gjatë hetimit të përbashkët dhe arriti të intervistojë katër prej tyre.
Debbie Nederlof, një influencuese nga Evropa, është e zemëruar që imazhet e saj në Instagram po përdoren nga një llogari e rreme MAGA në X. Ajo ka provuar të raportojë llogaritë e rreme në platforma të ndryshme – por është zhgënjyer herë pas here. Ajo tha se hera e vetme që ia doli të heqë një profil nga një platformë sociale ishte kur një mik fotograf që kishte marrë fotot kërcënoi me padi për shkelje të të drejtave të autorit.
Në një intervistë me CNN, Thomas Regnier, zëdhënësi i Komisionit Evropian për ekonominë digjitale, kërkime dhe inovacion, tha se në Evropë “vjedhja e identitetit të dikujt është e ndaluar, jo nga DSA, por e ndaluar në ligjin e BE-së, ligjin ndërkombëtar, kështu që kjo (llogaritë e identifikuara në hetim) do të ishin potencialisht të paligjshme, sjellje të paligjshme ose llogari të paligjshme, dhe kjo mund të merret parasysh në procedurat aktuale që kemi kundër X”. /Telegrafi/