Policia e Tiranës ka identifikuar autorin e grabitjes së një dyqani celularësh në rrugën “Myslym Shyri”, pesë ditë më parë. Blutë kanë publikuar foton e 43-vjeçarit Afrim Dulaj.
Në dispozicion për çdo qytetar që jep informacion për Dulajn, policia ka vendosur një shpërblim prej 5000 euro.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të veprimeve për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 09.02.2024, në një dyqan celularësh, në rrugën “Myslym Shyri”, kanë vijuar hetimet e thelluara për identifikimin e autorit të rastit.
Si rezultat i punës intensive hetimore, u bë identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit Afrim Dulaj, i ditëlindjes 02.11.1980, banues në Tiranë.
Drejtoria e Policisë së Tiranës fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 5,000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e tij.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrat e telefonit 112 dhe +355 69 410 0118, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi”, njofton policia. /Telegrafi/