Site icon Telegrafi

Ideja për pajtim ndëretnik, vështirë e realizueshme

Presidenti Hashim Thaçi doli sot me një iniciativë e cila promovon pajtimin ndëretnik në Kosovë, por analistët vendorë e shohin me skepticizëm mundësinë e realizimit në praktikë.

Drejtori i Zyrës për Kosovë i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj, tha për Kallxo.com se është herët të paragjykohet për mundësinë e realizimit në praktikë të nismës së Thaçit, por ai ka dilemë nëse një ide e tillë do të mund të realizohej vetëm në Kosovë.

“Ky komision ka qenë dashur të ketë komponent rajonal. Do të duhej të formohej një Komision i përbashkët, jo veç me Serbinë po në të gjitha shtet e ish Jugosllavisë të dala nga lufta”, tha Blakaj.

Por, sipas Blakajt më e rëndësishmja mbetet misioni i komisionit dhe fushëveprimi i tij, për të cilat ende nuk janë dhënë detaje.

Blakaj thotë se nuk është e rëndësishme koha kur ky komision është formuar.

“Ka mundur të formohet edhe para dy viteve, por nuk është vonë. Mirëpo çështja është tek thelbi i këtij komisioni: qysh ka me shtri hulumtimin, në çfarë periudhe kohore…”, tha ai.

Megjithatë, Blakaj thotë se ideja e dhënë sot, nuk do të ketë sukses nëse nuk arrin të kalojë nga “përkushtimi verbal” në veprime konkrete.

Ndërsa analisti politik, Imer Mushkolaj, tha se ky komision nuk është iniciativë e sinqertë e Presidentit Thaçi.

“Iniciativa e Thaçit nuk është e sinqertë dhe dyshoj se mund të funksionalizohet seriozisht. Nëpërmjet kësaj iniciative, Presidenti po përpiqet të tërheq vëmendjen në funksion të përfitimit të poenëve politikë për vete, e jo në funksion të një kauze më fisnike”, tha ai.

Mushkolaj thotë se një komision i tillë është dashur të formohet më herët.

Në takimin e parë konsultativ të mbajtur sot, ish-shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Daan Everts, shprehu skepticizëm mbi atë se mund të jetë efikas një komision i tillë.

“Kjo nuk është përpjekja e parë e këtij lloji në Ballkan, ka qenë edhe një iniciativë në Kostanicë për pajtimin kroato-serb që kishte dështuar. Ky komision ka nevojë për të gjetur një qëllim të përbashkët të të dy etnive dhe një person kredibil që përfaqëson të dy komunitetet për të udhëhequr këtë iniciativë”, tha Everts. /Kallxo.com/

Exit mobile version