Rreziku kryesor në funksionimin normal të shtetit të Republikës së Kosovës në aspektin juridik dhe ekonomiko-financiar mund të jetë plasimi ose materializimi i idesë për një Ahtisaari Plus, sepse vetë pakoja e Ahtisaarit është një plus i madh jo vetëm për komunitetin serb në Republikën e Kosovës, por për të gjitha minoritetet të cilat jetojnë në Republikën e Kosovës.
Prandaj institucionet e Republikës së Kosovës duhet lobuar se kjo ide është shumë e rrezikshme dhe e parealizueshme në një shteti i cili është i njohur ndërkombëtarisht nga shtetet më të fuqishme ushtarake dhe ekonomike të botës. Po ashtu përgjegjësi për të lobuar në këtë drejtim ka edhe shoqëria civile e cila duhet të reagojë në atë formë sa ta vetëdijësojë popullin e Republikës së Kosovës se paraqitja dhe jetësimi i kësaj ideje është një ide e dëmshme jo vetëm për shqiptarët dhe komunitetet tjera që jetojnë në Republikën e Kosovës por edhe për të gjithë serbët të cilët jetojnë me logjikën e shëndoshë se shteti i tyre është Kosova dhe jo ndonjë shtet tjetër fqinj i Kosovës.
Të gjitha idetë tjera janë të rrezikshme në shtetin e Republikës së Kosovës, përveç asaj se serbët në pjesën veriore të Kosovës duhet të integrohen në institucionet tona sikurse ata në rajonet tjera të Kosovës të cilët janë integruar mjaft mirë dhe të cilët janë të kënaqur me shtetin e Republikës së Kosovës
Në këtë fazë të zhvillimit të shtetit tonë duhet pasur parasysh se pajtimi me një ide për Ahtisaari plus krijon njëfarë konfuzioni në zhvillimin ekonomik dhe financiar sepse krijohen kushte të dyfishta qeverisëse institucionalo – financiare në këtë pjesë të vendit duke iu dhënë mundësi që serbëve në veri të administrojnë me një përqindje të madhe të të hyrave shtetërore (taksave doganore dhe tatimeve) dhe kjo nënkupton në aspektin juridik dhe financiar se kemi shkelje të sovranitetit dhe ky model është në kundërshtim me të gjitha aktet ndërkombëtare për shkak të krijimit të bipolaritetit qeverisës në këtë pjesë të shtetit tonë.
Karakteristikë tjetër negative e idesë për Ahtisaari plus është edhe ajo se me këtë mbistatus serbët e mbajnë peng jo vetën zhvillimin ekonomik dhe qeverisës të vendit në këtë pjesë por në tërë territorin e Republikës së Kosovës duke e luajtur atë rolin se sa më dekonstruktiv që je aq më shumë suksese realizon, një koncept i cili është demode dhe jo frytdhënës në demokracitë moderne, sepse tani në botën bashkëkohore kundërshtari ose rivali mposhtet vetëm duke i ndeshur vlerat njeri me tjetrin në kuptimin pozitiv.
Qeveria e Republikës së Kosovë duhet të ketë parasysh disa kritere apo parime për evitimin ose kalimin e minikrizës në pjesën veriore të Republikës së Kosovës duke u përkujdesur më shumë:
1. Në aspektin ekonomiko-financiar për pjesën veriore duke investuar më shumë si në infrastrukturën po ashtu edhe në mirëqenien e jetës së qytetarëve të kësaj pjese të Republikës së Kosovës,
2. Zvogëlimin e papunësisë në këtë pjesë të shtetit tonë,
3. Zbatimin e të gjitha marrëveshjeve me Serbinë që janë lidhur në bisedimet teknike gjatë këtij viti,
4. Zbatimin e reciprocitetit me Serbinë në të gjitha sferat e jetës nëse Serbia vazhdon të ndërhyn apo shkel Sovranitetin e jashtëm dhe të brendshëm të Republikës së Kosovës,
5. Vjeljen e të gjitha taksave dhe detyrimeve tatimore që banorët e kësaj ana nuk i kanë shlyer gjatë këtyre viteve e të cilat janë me miliona,
6. Shtrirjen e institucioneve financiare në pjesën veriore si: Administratën Tatimore të Kosovës, Odën Ekonomike të Kosovës, etj.
Ahtisaari Plus – në kundërshtim me Propozimin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës
Propozimi për Ahtisaari plus do të ishte në kundërshtim edhe me vet Dokumentin gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës (Pakoja e Ahtisaarit) dhe do të ndikonte në ndryshimin e rrethanave politike brenda Kosovës por dhe në raportet e Republikës së Kosovës me shtetet e tjera sidomos me ato të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008 (shih deklaratat e përfaqësuesve të disa shteteve të cilat e kanë njohur Republikën e Kosovës si shtet, sidomos deklaratën e Kancelares Gjermane dhe përfaqësuesit e SHBA-ve të cilat kategorisht e kundërshtojnë statusin special, Ahtisaarin plus, apo ndarjen e pjesës veriore).
Për pos në aspektin politik, Ahtisaari Plus do të jetë në kundërshtim edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me vullnetin politik të qytetarëve të saj, për arsye se bazuar në shembujt në rajon ku është bërë një zgjidhje përafërsisht e ngjashme e vërejmë se ka shumë probleme dhe nuk është zgjidhje e qëndrueshme, por është një zgjidhje e cila në vend që të stabilozojë gjendjen e sigurisë dhe atë politike, zgjidhje të tilla kanë quar deri te përkeqësimi i kësaj gjendje dhe kanë prodhuar një mori problemesh të ndryshme si: pa siguri publike, jo sundim të ligjit dhe rendit, provokime politike dhe vatra të reja të krizës politike, sociale dhe ekonomike (shih modelin e propozuar në Bosnje me Republika Sërbska, projekt totalisht i dështuar, i cili ka prodhuar po të njëjtat probleme të sipër përmendura).
Ahtisaari Plus – dobësim i shtetit të Republikës së Kosovës
Dy muaj e gjysmë pas intervenimit të njësisë speciale të Policisë së Kosovës në veri të shtetit janë zhvilluar edhe disa runde bisedimesh ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe dhe janë hequr masat e reciprocitetit ndaj mallrave të shtetit të Serbisë pas vënies dhe aplikimit të tyre për një kohë nga ana e organeve shtetërore të Republikës së Kosovës, veprime të cilët janë ndërmarrë nga ana e organeve shtetërore të Republikës së Kosovës në koordinim me faktorin ndërkombëtar, tani kohëve të fundit na dalin disa opsione, në mesin e tyre edhe Ahtisaari Plus për pjesën veriore të Shtetit të Kosovës i cili propozim do të dobësojë shumë shtetin e Republikës së Kosovës, i cili është në fazën fillestare të ndërtimit të tij si në aspektin politik, ekonomik dhe në atë të forcimit të sundimit të ligjit, prandaj tani është momenti vendimtarë për superfuqitë shtetërore të cilat ndihmuan të kemi shtetin mbi bazën e vullnetit politik të popullit tonë dhe Propozimit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës të propozuar nga Ahtisaari, mos të lejojnë as një propozim tjetër i cili do ta dobësonte shtetin e Kosovës, sepse do të sjellin situatën politike në Kosovë në gjendje të paparashikuar e cila do të ketë efekte shumë negative edhe në shtetet e rajonit.
Një propozim i tillë si Ahtisaari Plus me arsye se po zgjidhet çështja e veriut nuk është propozim i duhur, sepse bie ndesh edhe me vet Propozimin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës e cila është e njohur ndërkombëtarisht, por edhe e cenon rëndë sovranitetin e shtetit të Kosovës dhe tërësinë territoriale, e cila tani më është e njohur edhe nga shumica e shteteve më të fuqishme dhe në këtë drejtim krijohet një praktik jo e mirë e zgjidhjes së problemeve të tilla, por fare nuk duhet të merren parasysh model për zgjidhjen e problemeve të tilla të cilat modele tani më veçse janë dëshmuar të dështuara dhe kanë prodhuar shumë kriza të cilat do të jetë shumë vështirë për tu zgjidhur në të ardhmen.
Përfundim
Janë edhe një mori sfidash për të ardhur deri te shtrirja territoriale e sovranitetit të vendit jo vetëm në aspektin juridiko-politik por edhe në atë ekonomiko-financiar përmes stimulimeve dhe subvencioneve në të gjitha sferat e ekonomisë si në: bujqësi, blegtori, tregti, miniera, biznese të vogla. Plani i Ahtisaarit i cili është edhe bazament i themelimit të shtetit të Republikës së Kosovës ofron siguri, zhvillim, drejtësi, përparim dhe zhvillim ekonomik për të gjithë ata të cilët Republikën e Kosovës e konsiderojnë si shtetin e tyre ku munden t’i realizojnë interesat e tyre jetësore, familjare, shoqërore dhe shtetërore, ku për këtë duhet të jenë të vetëdijshëm edhe serbët e pjesës veriore, sepse nëse nuk e respektojnë shtetin, atëherë shumë shpejtë do të ballafaqohen me rend dhe sundim të ligjit.
(Burim Haliti është Master i shkencave juridike – financiare.
Flamur Hyseni është asistent në Katedrën e shkencave Kushtetuese – Administrative në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës)