Site icon Telegrafi

Idealisti Ahmet Brahimaj përballë dallkaukëve nga Kosova e nga Shqipëria

Në vitin 2008, si redaktor i Kulturës në Kohën Ditore, e botova shkrimin e një kolegu gazetar, për idenë e Luan Mulliqit për një Portë të Triumfit në hyrje të Prishtinës (në Veternik). Ai i kishte menduar të gjithë gurët e çmuar që do të përdoreshin aty, në atë projekt shumë të shtrenjtë, të cilin thoshte se duhej realizuar sipas konceptit të tij. Ndaj, shprehte keqardhje që institucionet nuk po e mbështesnin.

Ajo ide më dukej qesharake. Porta e Triumfit (apo Harku Triumfal), ngrehinë e triumfit të gjeneralëve romakë dhe shteteve fitimtare të luftërave të mëdha… në Prishtinën e vocërr e kaotike… mes popullit që nuk e di se cilën luftë e ka fituar në histori!?

Fatkeqësisht, shkrimin e botova. Jo veç pse dikur në gazetarinë e shkruar ishte ai problemi i faqeve që duhej mbushur (me tekste origjinale), por sepse si 12 vjet ma i ri se sot, besoja se njerëzit që ligjërojnë në Fakultetin e Arteve e që udhëheqin institucione me rëndësi, siç ishte Galeria e Arteve (drejtor i së cilës ishte Mulliqi), pa marrë parasysh se sa të dobët janë në profesion, e meritojnë të jenë të pranishëm në mediume. Së paku për t’i njohur më mirë.

Por, shpejt jam penduar. Sepse Porta e Triumfit të Marrisë gjeti shumë dishepuj. Dhe, kjo është arsyeja se pse mendoj që starletave që më shumë synojnë të bëjnë lajme se art, nuk duhet dhënë fare hapësirë.

E përmenda këtë shembull për të thënë se art bëhet pak në Kosovë, po lajme ka shumë. Shohim “artistë” biznesmenë, keqpërdorues fondesh që vlerën e tyre e projektojnë veç përmes komunikatave për shtyp. Këta i kemi të pranishëm kudo; këtyre që e kanë degraduar artin, mediat dhe pushteti po ua japin etalonin të flasin për art.

Në një shkrim të para pesë viteve, me titullin “Mbrojeni artin nga ‘artistët’ e Kosovës”, për këtë soj kam thënë se mblidhen në klane, krijojnë opinionin në qarqe të ndryshme shoqërore, e thurin komplote për ata që mendojnë ndryshe nga ta. Pastaj, në luftën për “meritokraci” e për sundim, se kush është më i madhi, e hanë edhe njëri-tjetrin, si kanibalë. Ata vrasin për së vdekuri artistët e njëmendtë që nuk jetojnë më dhe ata të gjallët që e meritojnë epitetin e artistit po që rrinë në heshtje, meqë janë “budallenj” e ende besojnë se vepra duhet të flasë për ta.

Një prej artistëve të heshtur, që ka besuar se vepra duhet të flasë, ishte Ahmet Brahimaj – një prej nismëtarëve të artit të baletit në Kosovë. Ai e rimëkëmbi dhe e çoi në nivel më të lartë Baletin e Kosovës, duke e bërë të jetë një prej institucioneve më serioze e më me vlerë në vend. Kjo punë nuk ishte e lehtë në këtë shoqëri të starletave, ku edhe Kallashi prezantohet si valltare, e ku pothuajse secili “artist” ka lidhje me pushtetin e me njerëz që nuk përtojnë të kërcënojnë e shantazhojnë. Por, Ahmet Brahimaj ishte artist i pakompromis. Ishte burrë i fjalës dhe parimor, trim e këmbëngulës. Ai nuk e lejonte të keqen për fëmijët e tij. Sepse, siç ka thënë për të balerina Vjollca Llugiqi, “ishim fëmijët e tu që nga dita e parë kur u takuam… nuk përshkruhet me fjalë dashuria për këtë art që mbolle aq thellë tek secili prej nesh”.

Kjo është arsyeja se pse nuk e kam përjetuar lehtë lajmin për pensionimin e tij. Si mund të pensionohet njeriu nga një institucion që vet e ngriti dhe e mbajti në këmbë? Shtylla kryesore?

Ç’është më e keqja, me të marrë lajmin se është i sëmurë, u vërsulën dallkaukët nga Kosova e nga Shqipëria. Ata të cilët i bëjnë njerëzit me diploma, si në fabrikë, e pastaj i fyejnë e i shfrytëzojnë po të njëjtit për interesa meskine – këtë herë për të pasë kontroll në Baletin e Kosovës. Ata të cilët ky i ngriti dhe ata të cilët i nderoi, krijonin insinuata, shkruanin komunikata, si starleta nxisnin debate për kinse art… dhe prisnin, si coftinarë.

Me vdekjen a Ahmet Brahimajt, Kosova e humbi një artist dhe një idealist. Ndaj, institucionet e vendit duhet të reflektojnë e të mos lejojnë të degradohet edhe Baleti i Kosovës, e me të edhe mundi dhe sakrifica e madhe e tij.

Lexo po ashtu Mbrojeni artin nga “artistët” e Kosovës
Ahmet Brahimaj (foto: Fahredin Spahija)
Exit mobile version