Site icon Telegrafi

IDEA: Shumë lojëra të fatit, të ardhura të larta, por profite të ulëta në Maqedoni

Instituti për Demokraci dhe Analiza Ekonomike (IDEA) ka prezantuar sot një hulumtim mbi sektorin e lojërave të fatit në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar numrin e lartë të pikave dhe rritjen e të ardhurave në vitin 2022. Në panelin e diskutimit, u shqyrtohet edhe një propozim ndryshimi për Ligjin për Lojërat e Fatit.

Sipas hulumtit të prezantuar, në Maqedoninë e Veriut ekzistojnë rreth 1.416 pika ku qytetarët mund të luajnë lojëra të fatit, duke krijuar një prezencë të jashtëzakonshme dhe një qasje të lehtë për lojërat e fatit. Kjo situatë ka shqetësuar opinionin publik për ekspozimin e vazhdueshëm të qytetarëve ndaj këtyre lojërave.

Të dhënat tregojnë se të ardhurat totale për vitin 2022 nga 56 kompanitë që ofrojnë lojëra të fatit kanë shënuar një rritje prej 21%, duke arritur në 690,885,917 euro. Kjo do të thotë që çdo ditë gjatë vitit 2022, këto kompani kanë realizuar mesatarisht 1.7 milion euro. Megjithatë, shqetësimi vjen nga fakti që, pavarësisht të ardhurave të larta, shumica e kompanive kanë paraqitur një shkallë të ulët fitimi, duke ngritur dyshime për evazion fiskal dhe shpëlarje parash.

Në krye të listës së kompanive me të ardhura më të larta janë Pro-Beting DOO, Sport Life Treid DOO dhe Kazinos Austria DOO, por të treja kanë paraqitur profit nën 1%, një nivel i pazakonshëm në krahasim me kompanitë e ngjashme në Europë.

Instituti IDEA ka ngritur dyshime për mundësinë e shpëlarjes së parave dhe evazionit fiskal dhe ka rekomanduar kontrolle të shtuara nga institucionet shtetërore ndaj këtyre kompanive.

Në panel, u shqyrtoi edhe propozimi i ndryshimit të Ligjit për Lojërat e Fatit. Pavarësisht meritave të propozimeve për kufizimin e numrit të pikave, IDEA nuk e sheh këtë ndryshim të mjaftueshëm për të adresuar problematikat efektivisht. Instituti vlerëson se distanca prej 500 metrash nuk do të ketë ndikim të madh në parandalimin e qasjes së të rinjve në lojërat e fatit, dhe liberalizimi i tregut do të shtojë konkurrencën dhe rrezikun e varësisë së mëtejshme nga bixhozi.

Panelistët, përfshirë deputetin Halil Snopçe dhe kryetarin e Komunës së Çairit, Visar Ganiu, ndanë shqetësimin e tyre për mungesën e përkrahjes mediatike dhe sfidat në përpjekjet e tyre për mbylljen totale të kazinove. Në këtë drejtim, instituti IDEA ka rekomanduar një qasje më të rreptë dhe kontroll të shtuar nga institucionet për të adresuar çështjet e shqetësimit publik në lidhje me lojërat e fatit. /Telegrafi/

Exit mobile version