Site icon Telegrafi

Ice Cube në këngën e re kërkon arrestimin e presidentit

Ice Cube, Donald Trump (Foto: Getty Images/Guliver)

Reperi, aktori amerikan dhe shkrimtari amerikan, Ice Cube, e ka publikuar këngën me titull “Arrest The President”, përmes të cilës kërkon që të arrestohet presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Në këngën e publikuar ditë më parë, 49-vjeçari e komenton pa kompromis dhe shumë ashpër politikën e qeverisë aktuale të SHBA-ve.

“Arrest The President” është një prej këngëve të shumëpritura që do të jetë pjesë e albumit të ri të reperit, ndërsa teksti i saj flet se ekzistojnë fakte për arrestimin e presidentit.

Ice Cube edhe në të kaluarën e ka përulur dhe përqeshur politikën e Trumpit, ashtu që ka qenë shumë lehtë të kuptohet se kujt i dedikohet kënga.

Albumi i ri i reperit, “Everythang’s Corrupt”, që është i dhjeti me radhë, do të publikohet në fillim të muajit dhjetor dhe do ta prezantojë atë si një solo artist.

O’Shea Jackson Sr. (emri i vërtetë i Ice Cube) e nisi karrierën si anëtarët i hip-hop grupit “C.I.A.” në vitin 1984. Më pas, së bashku me Dr. Dre dhe Eazy E e formuan grupin “N.W.A”, duke u bërë jashtëzakonisht i suksesshëm.

Ice Cube (Foto: Michael Loccisano/Getty Images/Guliver)

Pas largimit nga “N.W.A” në vitin 1989, Cube vazhdoi karrierën solo duke arritur sukses të madh me albumet “AmeriKKKa’s Most Wanted” (1990) dhe “Death Certificate” (1991).

Në vitet e fundit, ai është angazhuar më tepër në karrierën e tij si aktor dhe ka luajtur në filma që kanë arritur përfitime të mëdha. /Telegrafi/

Exit mobile version