Site icon Telegrafi

Icardi ka hasur në probleme te PSG – përveç me drejtuesit, ai nuk kalon mirë as me dyshen Neymar e Mbappe

Aventura e Mauro Icardit te Paris Saint Germain kishte nisur në mënyrën më të mirë të mundshme, me argjentinasin që po shënonte rregullisht dhe klubi francez mendonte blerjen e kartonit të tij. 

Por në javët e fundit është vërejtur një rënie e tij, si në rendiment ashtu edhe në angazhim.

Gazetar franceze ‘L’Equipe’, ka zbuluar disa nga arsyet e këtij momenti jo të mirë të Icardit.

Sulmuesi fillimisht nuk ka marrëdhënie të mirë me trajnerin Thomas Tuchel dhe kjo ka bërë që ai të jetë më shpesh në bankë në kohët e fundit.

E gjithë kjo pas një feste që kishte organizuar ai së bashku me Edinson Cavanin dhe Angel Di Marian dhe atë pas humbjes nga Borussia Dortmund.

Kjo e kishte nervozuar trajnerin, por edhe drejtuesin e klubit, Leonardon.

Por problemi kryesor sipas ‘L’Equipe’ është se Icardi, nuk ka marrëdhënie të mira edhe me dy yjet e skuadrës, Neymarin dhe Kylian Mbappen, pasi këto dy të fundit më shumë luajnë me njëri-tjetrin, se sa që ia pasojnë topin atij.

Mësohet se Icardi ka kërkuar llogari ndaj dyshes, por ka ‘fituar’ një vend në bankën rezervë, pasi dyshja Mbappe-Neymar, janë të paprekshëm në PSG.

Por duket se kjo nuk po i bën edhe aq përshtypje, pasi për të vazhdon të interesohet Juventusi, që është gati të paguajë 75 milionë euro. /Telegrafi/  

Exit mobile version