Paris Saint-Germaini i ka shpëtuar humbjes nga Lorienti (1-1) në Stade du Moustoir duke barazuar në minutat shtesë.
Mauro Icardi dhe Lionel Messi rrezikuan për mysafirët në minutat e para, derisa për vendasit raste të mira patën Dango Ouattara dhe Terem Moffi.
Rezultati u zhbllokua pas 40 minutash lojë me golin e Thomas Monconduit, i cili u asistua nga Enzo Le Fee.
Georginio Wijnaldum dhe Angel Di Maria i patën mundësitë e tyre në fraksionin e dytë, ndërsa për nikoqirët i rrezikshëm u tregua Ouattara.
Mauro Icardi e shënoi golin e barazimit në minutat shtesë (90’+1) pas asistimit nga Achraf Hakimi.
Ishte një natë për t’u harruar për Sergio Ramos, i cili u inkuadrua në pjesën e dytë dhe u përjashtua pas kartonit të dytë të verdhë në minutën e 86-të.
Paris Saint-Germaini është lider i pakontestueshëm në Ligue 1 me 13 pikë më shumë se përcjellësit e parë, Nice dhe Marseille. /Telegrafi/