Prishtina ka marrë fitoren e dytë radhazi në edicionin pranveror, teksa kanë mposhtur Ulpianën me rezultat të pastër 2-0.
Qëndrim Zyba dhe Guathier Mankenda u përkujdesën për golat e shënuar që i dhuruan tri pikë shumë të rëndësishme Prishtinës.
Trajneri i kryeqytetasve, Abdulah Ibrakovic ka mbetur i kënaqur nga kjo fitore, por ai thotë se kanë vështirësi shkaku i ndërrimit të fushave thuajse në çdo ndeshje.
“Duhet ta pranojmë që kemi problem me ndërrime të fushave, nuk mund t’i luajmë dy ndeshje rresht në të njëjtin stadium. Përsëri kemi luajtur në një stadium të ri dhe për lojtarët është e vështirë të adaptohen”.
“Sa i përket ndeshjes, në pjesën e dytë kemi qenë më agresiv, fituam duelet dhe kemi qenë më të rrezikshëm në fazën e sulmit”, ka deklaruar Ibrakovic.
Ai foli edhe për çerekfinalen e Kupës së Kosovës, ku skuadra e tij përballet në mesjavë me Ballkanin.
“Sigurisht se do të luajmë kundër një kundërshtari të fortë që është lider në ligë. Do të japim maksimumin. Nëse ne e japim më të mirën, edhe për ata do të jetë shumë e vështirë”, tha trajneri boshnjak. /Telegrafi/