Telegrafi

Ibrahimovic përshëndetet me Mourinhon dhe kthehet në Evropë

Kampioni i Serie A ka pohuar në faqen e vet zyrtare se suedezi është ndarë nga ekipi dhe ka udhëtuar për në Evropë, sigurisht për të nënshkruar me Barcelonën dhe për t’iu bashkuar ekipit të ri.

“Pas angazhimit në mëngjes në kampin stërvitor në Harwaurd, dhe drekës në hotel, para disa minutash, Zlatan Ibrahimovic është përshëndetur me Jose Mourinhon dhe ekipin, pas të cilës ka udhëtuar për në Suedi”, shkruhet në një publikim në faqen zyrtare të Interit.

“Sulmuesi në marrëveshje me klubin e ka lëshuar turneun në SHBA dhe është rikthyer në Evropë pas negociatave për transferimin e tij”, shtohet më tej në deklaratë.

Besohet se Ibrahimovic ka arritur marrëveshje me Barcelonën dhe tash mbetet vetëm që lojtari t’i kalojë testet mjekësore dhe nënshkruajë kontratën me klubin spanjoll, me të cilën do të zyrtarizohej transferimi i tij.

Në drejtim të kundërt, nga Barcelona në Inter, pritet të lëvizë Samuel Eto’o, i cili po ashtu raportohet ka arritur marrëveshje me Interin.