Site icon Telegrafi

Ibrahimovic: Ndihem i ri te Milani, çdo ndeshje është si finale

Zlatan Ibrahimovic ka thënë se ai ‘ndihet i ri’ dhe ai është i etur për të marrë përgjegjësi kur do të vijnë kohë të vështira. Ai ka folur edhe për garën për titull në Serie A.

Suedezi shënoi golin e fitores dhe dha një asistim në triumfin e Milanit 2-1 në Udinese.

“Është një gol i mirë, por ishte më e rëndësishme të fitojmë, kështu që është një gol me tre pikë”, ka thënë fillimisht Ibrahimovic për DAZN.

“Ishte një ndeshje shumë e vështirë, por ne vërtetuam se punojmë, vuajmë dhe qëndrojmë së bashku. Në momente të vështira është kur e shihni ekipin që punon të gjithë së bashku në mënyrën e duhur”.

“Ne të gjithë duam topin kur ka një shans, të gjithë të 11-tit mendojmë se kemi të drejtë në atë moment. Skuadra po ecën vërtet mirë, ne besojmë në diçka”.

“Jemi një nga skuadrat më të reja në Evropë, pavarësisht se unë e rrita mesataren pak, por ato më bëjnë të ndihem i ri. Ata janë kaq të uritur, kaq të etur, kurrë të kënaqur në ndeshje ose në një seancë stërvitore”.

“Unë do të marr përsipër presionin dhe përgjegjësinë, ata nuk kanë nevojë ta ndiejnë atë. Unë do të kujdesem për të, ata thjesht duhet të punojnë, të besojnë dhe të ndjekin rrugën tonë”.

“Momente të vështira vijnë për të gjithë, kjo është pjesë e sezonit, por e rëndësishme është që të vazhdojmë të mendojmë pozitivisht”.

“Scudetto? Gjërat po shkojnë mirë, por siç thashë javë më parë, i marrim ndeshje pas ndeshje. Çdo takim është si finale dhe do të shohim se ku do të përfundojmë. Ka objektiva kolektivë dhe individualë, do të shohim se çfarë do të ndodhë”.

“Shpresoj që së shpejti tifozët të mund të kthehen në stadium në mënyrë që ata të mund të shohin Milanin e tyre nga afër, sepse ne luajmë për ta dhe duam ta ndajmë këtë aventurë me ta”, përfundoi sulmuesi suedez. /Telegrafi/

Exit mobile version