Zlatan Ibrahimovic sugjeron që Gianluigi Donnarumma duhet të kishte qëndruar te Milani dhe pretendon se Rossonerët kanë nevojë për dikë si Olivier Giroud.
Nisja e sezonit të ri pritet të sjell disa ndryshime në organikën e Rossonerëve, ndërsa emrat më të përfolur kanë qenë Donnarumma, i cili do të largohet si lojtar i lirë dhe Giroud që pritet të transferohet falas.
Për këta dy lojtarë ka folur edhe ylli i skuadrës, Ibrahimovic, i cili italianin e ka këshilluar, ndërsa francezin e ka mirëpritur.
“Më vjen keq për Gigion. Ai erdhi përmes akademisë së Milanit, ai mund të jetë portieri i ekipit për 20 vitet e ardhshme, ndoshta jo 20, sepse ai nuk është Ibra”, ka thënë fillimisht Ibrahimovic për La Gazzetta dello Sport.
“Sidoqoftë, ai është më i miri në botë. Ai mund të ishte bërë si Maldini te Milani. Do t’i thosha të qëndrojë te Milani deri në fund. ”
Olivier Giroud së shpejti mund të bashkohet me Ibran në San Siro dhe francezi mirëpritet nga suedezi.
“Giroud ka përvojën, dhe ne nuk kemi shumë lojtarë që kanë fituar trofe”.
“Ai është i mirëpritur nëse arrin edhe ai sepse të gjithë janë të dobishëm në këtë grup. Të gjithë duan të mësojnë”, përfundoi suedezi. /Telegrafi/