Kosova ka nevojë të madhe për ligjin antimafia, në kohën kur shkalla e korrupsionit në vend është bërë standard jetese, ka thënë kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi, në një konferencë të organizuar të mërkurën nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike me temën “Rritja e efektivitetit të luftës ndaj pasurisë së paligjshme në Kosovë”.
“Pavarësisht sesa ne po deklarohemi, për fatin tonë të keq, gati jemi në atë shkallë sa të themi se korrupsioni po na bëhet standard i jetës. Tingëllon kjo si shumë defetiste, por gjendja në të cilën jemi, dhe parametrat tregues që janë edhe nga shoqëria civile, edhe nga faktorët tjerë, tregojnë se korrupsioni në Republikën e Kosovës është prezent dhe akoma nuk jemi në stadin e duhur të luftimit të kësaj dukurie shkatërruese për vendin”, ka thënë ai, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas Ibrahimit, Kosovës i mungon një ligj i cili do t’ua krijonte mundësinë më të mirë, sidomos organit të ndjekjes, organit të akuzës, që të ketë një bazë ligjore për hulumtimin e pasurisë, edhe tek ata individë që nuk janë të ngarkuar me vepra penale. Për Ibrahimin krejt kjo vjen si pasojë e mungesës së vullnetit politik për të nxjerrë këtë ligj.