Site icon Telegrafi

Ibrahimi kërkon themelimin e Speciales

Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi, në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se ka dallim mes perceptimit për nivelin e korrupsionit në Kosovës dhe situatës reale në terren, njofton Klan Kosova.

“Perceptimet e opinionit për prezencën e korrupsionit në Kosovë tash e sa kohë janë të qarta. Por, tjetër është perceptimi e tjetër realiteti. Sa i përket çështjeve që i trajtojmë si lëndë penale, numri i tyre është rritur vitet e fundit. Tash kemi shumë akuza që kanë të bëjnë me vepra penale të natyrës korruptive. Por, nuk mund të them se jemi në stadin e nevojshëm të luftimit të korrupsionit”, thotë ai.

Ibrahimi ka kërkuar që të shtohet numri i gjyqtarëve, në mënyrë që të lehtësohet dhe përshpejtohet puna në luftimin e kësaj dukurie. Ndërsa, kërkon që të themelohet Gjykata Speciale, pasi gjyqtarët janë të mbingarkuar me lëndë.

“Unë tani e disa vjet kam thënë që jam kundër krijimit të taskforcave në sferën e drejtësisë. Kërkoj shtimin e kapaciteteve brenda sistemit gjyqësor. Nuk luftohet as korrupsioni e asnjë dukuri tjetër e keqe me taskforca. Unë mendoj që duhet kërkuar përgjegjësi nga të gjithë, përfshirë edhe unë, por jo të krijohen instrumente tjera. Publikisht kërkoj që të formohet Gjykata Speciale. Nëse krijohet, ajo do ta ketë buxhetin e saj dhe të mbledhë staf edhe administrativ edhe gjyqësor që është në nivelin e kërkesave të ditëve të sotme”, tha Ibrahimi. /Klan Kosova/

Exit mobile version