Site icon Telegrafi

Ibrahim Rugova – arritjet dhe dështimet politike

Fadil Sahiti (foto: Fahredin Spahija)

Tri qasje janë ravijëzuar në diskursin rreth figurës së Ibrahim Rugovës. E para përfaqësohet nga ‘myhibët’ e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) – nga ata që përpiqen të mitizojnë figurën e tij dhe që hedhin poshtë çdo kritikë për të. Qasja e dytë ndërlidhet me matrapazët politikë të cilët, meqë dikur ishin pjesë e LDK-së, mundohen të kapitalizojnë nga figura e Rugovës. E treta përbëhet nga kundërshtarët e Rugovës të cilët qorrazi refuzojnë çdo vlerë që ndërlidhet me të, duke mohuar kështu edhe kontributin e tij për çlirimit e vendit dhe të shtetbërjes. Këta të fundit kanë frikë se historia do ta rendisë lartë kontributin politik të Rugovës dhe se ata do të mbesin përgjithmonë në hijen e tij.

Aktivitetet politike të secilit politikan, apo të lëvizjeve politike, duhet të analizohen në dy nivele: arritjet empirike, si dhe kontekstin historik. Çdo aktivitet politik është i kushtëzuar historikisht dhe nuk mund të kuptohet drejtpërdrejt jashtë kontekstit shoqëror. Për më tepër, secila periudhë historike është produkt i një periudhe të mëparshme. Edhe lëvizja politike e fundit të viteve ‘80 të shekullit të kaluar, mund të thuhet se është produkt i një progresi të mëparshëm shoqëror. I referohem periudhës së viteve 1968-1981, gjatë së cilës shoqëria shqiptare në ish-Jugosllavi ka përjetuar transformimin më të madh historik – social, kulturor, ekonomik, arsimor dhe veçanërisht të vetëdijes politike. Gjeneratorë të këtij transformimi kanë qenë subjektiviteti politik – të drejtat politike që shqiptarët i kishin fituar me Kushtetutën e vitit 1974 – si dhe krijimi i Universitetit të Prishtinës më 1970 që ka prodhuar një lëvizje intelektuale, shumë të përparuar për kohën.

Vet Ibrahim Rugova ka qenë pjesë e kësaj lëvizje, por nuk ka qenë rast unik, pasi në këtë plejadë hyjnë intelektualët me po aq me vlerë, si: Fehmi Agani, Gazmend Zajmi, Anton Çetta, Mark Krasniqi e shumë të tjerë. Emancipimi intelektual dhe politik ka bërë që kauza politike e shqiptarëve të Kosovës të pastrohet nga nuancat ideologjike dhe veçanërisht nga mbarsjet e panevojshme nacionaliste. Ka qenë fat i madh që plasimi i kauzës politike shqiptare, në kancelaritë më të rëndësishme në botë, është bërë nga një personalitet si Ibrahim Rugova.

Aktiviteti politik i Rugovës mund të ndahet në tri periudha.

1. Vitet 1989-1995. Kjo është koha kur shpërthimi i luftës në Kosovë dukej si i pashmangshëm. Për fat të mirë kjo nuk ndodhi, kryesisht fal politikës së mençur dhe paqësore të ndjekur nga intelektualët e lartpërmendur. Ata dhanë përgjigje tjetër për sfidat e kohës, mjaft origjinale për kohën. Në vend të luftës, në Kosovë u ndërtua një jetë institucionale e bazuar kryesisht në dy elemente: sistemin arsimor dhe sistemin shëndetësor – sisteme që funksiononin të pavarura nga sistemi represiv serb. Ata që kanë jetuar në Kosovë, gjatë asaj kohe, e dinë se sa sakrificë dhe entuziazëm u kërkua për t’i mbajtur gjallë këto institucione.

2. Vitet 1996-1999. Është kjo koha pas Marrëveshjes së Dejtonit, kur luftërat në ish-Jugosllavi kishin mbaruar dhe presioni serb mbi shqiptarët e Kosovës pritej të shtohej. Kjo edhe ndodhi. Regjimi serb vendosi që zgjidhjen e nyjës së Kosovës ta bënte me luftën që për qëllim final kishte ndryshimin e strukturës së popullatës. Udhëheqësit politikë shqiptarë të kohës, ndonëse të parët kishin ndërtuar kampe ushtrimesh në Shqipëri, si parapërgatitje për luftë, dështuan të nisnin rezistencën e armatosur të organizuar në mënyrë institucionale. Pasojat e mungesës së tillë institucionale tashmë të gjithë i dimë.

3. Periudha pas çlirimit (1999-2006). Për shkak të ngjarjeve të rënda që ndodhën gjatë luftës, Ibrahim Rugova dukej i izoluar dhe i vetmuar. Serbët kishin vrarë trurin e partisë së tij, ndërkohë, shantazhi dhe vrasja e bashkëpunëtorëve të ngushtë ishte shndërruar pothuajse në normë. Vrasja e Xhemail Mustafës ka qenë veçanërisht e rëndë. Pas kësaj, Rugova mbeti i rrethuar kryesisht nga njerëz të paaftë, ziliqarë dhe hipokritë që i qëndruan gjoja pranë, me shpresën se do të vdiste shpejtë e do ta zinin vendin e tij.

Si përfundim, dy ishin arritjet më të mëdha politike të veprimtarisë politike të Ibrahim Rugovës, që determinuan lirinë dhe shtetin që kemi sot. E para është paraqitja e mençur dhe e drejtë e çështjes sonë para shteteve të fuqishme, mbi të gjitha te dy qendrat më të mëdha të vendimmarrjes politike: në Uashington dhe në Vatikan. Së dyti, organizimi i rezistencës jo të dhunshme ka rezultuar në ruajtjen e substancës kombëtare nga një luftë që në nismë të shpërbërjes së Jugosllavisë do të mund të kishte pasoja fatale për ekzistencën tonë. Çdo gjë tjetër është determinuar dhe gjeneruar nga çmenduria politike dhe shovinizmi i udhëheqjes politike në Serbi. Besimi i tyre se nyja e Kosovës mund të zgjidhet përmes luftës – pas sensibilizimit të çështjes së Kosovës nga Rugova – në fund doli të jetë gabimi më i madh i tyre.

(Autori studimet për master i ka mbaruar në Universitetin Kurt Bösch. Doktoratën e ka nga Universiteti i Londrës – Birkbeck. Momentalisht jep mësim në RIT Kosovo (A.U.K), ndërkaq më parë ka ligjëruar në institucionet prestigjioze arsimore, si Birkbeck, London School of Economics dhe University College London)

Exit mobile version