Zlatan Ibrahimovic ka thënë se i ka premtuar përzgjedhësit të Suedisë, Janne Andersson, se do të jetë vendimtar për skuadrën dhe tash duhet ta dëshmojë këtë.
Sulmuesi veteran është kthyer te përfaqësuesja dhe pritet të luajë në ndeshjet ndaj Gjeorgjisë (25 mars) dhe ndaj Kosovës (28 mars) në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror, ‘Katar 2022’.
Në konferencën për shtyp, në të cilën nuk arriti t’i mbante lotët, 39-vjeçari rrëfeu për takimin që e ka pasur me trajnerin.
“Ndodhem këtu, jo sepse e kam emrin Zlatan Ibrahimovic, por sepse e meritoj të jem këtu. Gjithçka që kamë bërë në të kaluarën, nuk ka kurrfarë rëndësie. Ndihem në formë, dua të përfshihem dhe mendoj se akoma mund të kontribuoj për ekipin kombëtar”.
“Unë jam vetëm një pjesë e enigmës. Nëse më pyesni mua, unë jam më i miri në botë, por kjo nuk na ndihmon këtu. Dua ta vë përvojën time në dispozicion të ekipit dhe i kam premtuar trajnerit se do të jem vendimtar, por tash duhet ta dëshmoj në fushë”, ka thënë Ibra.
Ai ka thënë se nuk planifikon ta marrë shiritin e kapitenit nga Andreas Granqvist, porse ka kërkuar nga Alexander Isak që t’i japë fanellën me numrin 11. Derisa nuk kishte pranuar ta merrte fanellën me numrin 10 që ia kishte ofruar Emil Forsberg, sepse mendon se ai e meriton atë dhe se ky është një kapitull i ri. /Telegrafi/
🇸🇪 𝗟𝗮𝗻𝗱𝘀𝗹𝗮𝗴𝘀𝘃𝗲𝗰𝗸𝗮 🇸🇪#viärsverige
— Svensk Fotboll (@svenskfotboll) March 22, 2021