Ish-ushtaraku, Ismet Ibishi, sa i përket çështjes së hapjes së Urës së Ibrit, ka thënë se kjo urë është simbol i bashkimit, dhe se kjo urë duhet hapur.
Duke shtuar se edhe vetë pala serbe duhet të tregojë “vullnet” të mirë.
“Ura është simbol i bashkimit, unitetit, lëvizjes së lirë, ajo që ka jetu në një terror 25 vite derisa tash kur kemi policinë demokratike atje, që ka kriju një siguri të plotë, ajo urtë ka qenë mbillje e vrasjes, e urrejtjes, keni parë mbishkrime fashiste në atë urë të urrejtjes çdo gjë, dhe iu ka pëngu gëlqerosja, jam i bindur pa-mëdyshje se ajo urë duhet të hapet, dhe vetë pala serbe të tregojë vullnetin e mirë,” tha Ibishi në RTV Dukagjini.
Ai theksoi se nuk parasheh ndonjë trazirë nga pala serbe nëse do hapej ura, pasi sipas tij situata është nën kontroll.
“Nuk shoh trazira, situata është nën kontroll nga Forcat e Sigurisë, nuk ka mundësi që të krijohet kjo,” shtoi Ibishi.
Derisa ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Sadri Ferati, ka thënë se populli i Kosovës i gëzohet faktit që situata në veri është e normalizuar e po ashtu edhe hapjes së Urës së Ibrit.
“Çdo qytetar i Kosovës i gëzohet normalizimit të situatës në veri, shtrirjes së sovranitetit dhe krijimit të lirisë së lëvizjës dhe urën e Ibrit, që ka qenë ikonë e dëshmisë së problemeve politike që janë krijuar nga strukturat paralele e të dhunshme në atë pjesë,” tha Ferati.
Teksa shton se të gjitha sukseset e mbërritura janë falë aleatëve ndërkombëtarë, pasi sipas tij, shteti nuk ka pasur fuqi të mjaftueshme.
“Gjithçka deri këtu kemi mbërri edhe falë partneriteteve, sepse nuk kemi qenë mjaftushëm të fuqishëm që fillimisht ta sigurojmë lirinë e ta fitojmë luftën dhe ta bëjmë Kosovën shtet e ta zhvillojmë në institucionet ndërkombëtare.”
Ferati theksoi se për hapjen e Urës së Ibrit duhet koordinuar me ndërkombëtarët.
“Edhe këtë herë duhet të koordinohemi me faktorin ndërkombëtar, në rend të parë me KFOR-in dhe EULEX-in meqë ata janë në mandate për aspekte të sigurisë që në këtë rast edhe mund të thirren në atë çështje,” tha Ferati.
I pyetur se nëse KFOR-i dhe ShBA-ja kundërshtojnë, cila do të duhej të ishte rruga që zgjedh Qeveria e Kosovës, ai thotë “dialogu, bisedat dhe mirëkuptimin e Bashkësisë Ndërkombëtare.”