Site icon Telegrafi

IAP dhe ASK me marrëveshje në fushën e statistikave zyrtare

Me synim zhvillimin dhe shfrytëzimin e të dhënave statistikore, për t’i vlerësuar dhe për t’i zbatuar politikat dhe programet që ndikojnë në respektimin, në mbrojtjen dhe në avancimin e të drejtave të njeriut, Institucioni i Avokatit të Popullit dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës, nënshkruan sot një memorandum dypalësh të mirëkuptimit.

Të dy autoritetet respektive, kanë marrë në konsideratë objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm të miratuara nëpërmjet një rezolute të veçantë në janar 2018 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, e bazuar në Agjendën 2030 dhe Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e shtatorit 2015.

Po ashtu, IAP dhe ASK kanë pasur parasysh  standardet dhe instrumentet ndërkombëtare të përfshira në Nenin 22 të Kushtetutës së vendit dhe rëndësinë e të dhënave statistikore, përfshirë treguesit specifikë, në matjen e realizimit të të drejtave të njeriut dhe të zbatimit të rekomandimeve të mekanizmave ndërkombëtarë dhe vendor për të drejtat e njeriut.

Zbatimi i Agjendës 2030 kërkon përkushtim për bashkëpunim dhe mirëkuptim, me qëllim identifikimin dhe prodhimin e treguesve përkatës, përfshirë treguesit kontekstualë relevantë, të cilët bazohen në udhëzimet mbi treguesit e të drejtave të njeriut dhe në Qasjen ndaj të Dhënave të Bazuar në të Drejtat e Njeriut (HRBAD), të përpiluar nga Zyra e Komisionarit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR).

Brenda një afati 15 ditor, të dy institucionet relevante, do të themelojnë grupin punues të përbashkët, respektivisht pikat e kontaktit, në funksion të operacionalizimit të këtij memorandumi të mirëkuptimit.

Exit mobile version