Telegrafi

Ia sheh sherrin emrit: Inxhinierit indian Saddam Hussein, i janë refuzuar mbi 40 aplikacione për punësim

Edhe pse kanë kaluar më shumë se 10 vite që kur ish-presidenti i Irakut, Saddam Hussein është varur, “mallkimi” i tij vazhdon ta ndjekë një burrë nga India të cilit po i rrezikohet karriera dhe mënyra e jetës.

Saddam Hussein është një inxhinier i marinës, i cili që nga dita e diplomimit në universitetin Tamil Nadu, i janë refuzuar të paktën 40 aplikacione për punësim, transmeton Telegrafi.

Ky burrë nga qyteti Jamshedpur ka filluar të besojë se ia ka parë sherrin emrit të diktatorit irakian, të cilin ia kishte vënë gjyshi i tij. Por ai ka ndërmarrë një veprim, duke kërkuar nga gjykata që t’ia mundësojë ndërrimin e emrit në Sajid.

Saddam Hussein tashmë i njohur si Sajid ka deklaruar për mediat indiane duke thënë: “Njerëzit frikësohen të më punësojnë, ata kanë frikë nga departamenti dhe zyrtarët e emigracionit”.

Por ndërrimi i emrit nuk i ka dhënë fund problemit të kamotshëm, pasi që diplomat që i ka fituar me shumë mund vazhdojnë të figurojnë me emrin e tij të vjetër.

Por ai pritet që më 5 maj të paraqitet në gjykatë, ku pritet t’i jepet e drejta që ta ndërroi emrin edhe në diploma. /Telegrafi/