Telegrafi

Ia përmendin faktin që ajo është e bija e një njeriu me ngjyrë, Halsey iu kundërpërgjigjet ndjekësve në Twitter

Halsey (Foto: Noam Galai/Getty Images/Guliver)

Këngëtarja Halsey u bashkua me guxim në vijën e parë para një numri të protestave për George Floyd në Los Angeles, Kaliforni gjatë javës së kaluar.

Pavarësisht se ishte duke punuar në mënyrë aktive për të bërë fushatë kundër dhunës dhe racizmit sistemik ndaj njerëzve me ngjyrë, këngëtarja 25-vjeçare u përplas me një nga përdoruesit në rrjetin social Twitter për një status, të martën, shkruan DailyMail.

“Vini re sesi Halsey nuk përmend kurrë anën e saj të zezë, por ajo ‘e mbështet’. Ndaloni së qenit injorant. Asnjëherë nuk e ka pohuar anën e saj të zezë. Kjo është arsyeja pse unë kurrë nuk do ta mbështes atë. Në postimin e saj ajo shkruan ‘lërini njerëzit me ngjyrë të flasin’ dhe jo ‘lërini njerëzit tanë të flasim’”, shkruhej në këtë status në Twitter i cili më pas është fshirë.

Postimi i referohej faktit se artistja është vajzë e dy prindërve me ngjyrë të ndryshme, teksa lidhur me këtë që është shkruar këngëtarja ka bërë një reagim në rrjetet sociale.

“Nuk është vendi im të them ‘ne’. Është vendi im për të ndihmuar. Unë jam në dhimbje për familjen time, por askush nuk do të më vrasë bazuar në ngjyrën time të lëkurës”, u përgjigj kandidatja e nominuar për Çmimin “Grammy”.

Halsey (Foto: Dimitrios Kambouris/Getty Images/Guliver)

Krijuesja e hitit “Without me” shpjegoi: “Unë gjithmonë kam qenë krenare për atë që jam, por do të ishte një shqetësim absolut për të thënë ‘ne’ kur nuk jam e ndjeshme ndaj të njëjtës dhunë”.

Fansat e Halseyt gjithashtu e mbrojtën atë, pasi ajo ka folur prej kohësh për paragjykimet si vajzë e një gruaje me ngjyrë të bardhë dhe një babai me ngjyrë të errët.

Halsey (Foto: Dimitrios Kambouris/Getty Images/Guliver)

“Dukem si një vajzë e bardhë, por nuk ndjehem si e tillë. Unë jam një femër e zezë”, i tha ajo Revistës ‘Playboy’ në vitin 2017.

Të hënën, ajo ishte prezente në protestat e zhvilluara në Los Angeles dhe ndau me ndjekësit në Instagram pamjet e oficerëve të policisë që po gjuanin gaz lotsjellës tek protestuesit, ndonëse protesta ishte paqësore. /Telegrafi/