Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 15.03.2023, dhe mund të zgjasë deri më datën 15.04.2023 ndaj të pandehurit H.H., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Mashtrimi” dhe “Kanosja”.
Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
“I pandehuri H.H., nga muaji Mars e deri ne muajin Dhjetor të vitit 2022, në Prizren, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e mashtron të dëmtuarin A.A., në atë mënyrë që duke u paraqitur se merret me rregullimin e vizave të shtetit Sllovak, arrin të e vë në lajthim të dëmtuarin A.A ashtu që pasi i njëjti shpreh interesimin për rregullimin e vizës sllovake për djalin e tij, i pandehuri H.H., ne vazhdimësi i kërkon të hollat në vlera të ndryshme në emër të procedurave për rregullimin e vizës duke arritur kështu shumën e përgjithshme të të hollave ne vlerë rreth 17.000 Euro, e të cilat para i dëmtuari kohë pas kohe ia dërgon përmes transaksioneve bankare, por që nga ajo kohe i pandehuri as nuk e pajis me vizë e as nuk ia kthen të hollat, me çka me këtë veprim të dëmtuarit A.A., i ka shkaktuar dem të konsiderueshëm material në vlerë të përgjithshme prej 17.000 (shtatëmbëdhjetë mijë) Euro”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, me datë 16 dhe 17 dhjetor të vitit 2022, i pandehuri H.H., seriozisht e kanos personit tjetër me fjalë se do ta privojë nga jeta ose se do t’i shkaktojë lëndim të rëndë trupor, te dëmtuarin – A.A., në atë mënyrë që si rrjedhojë e mosmarrëveshjes ne lidhje me rregullimin e vizës, i pandehuri ne gjendje të acaruar përmes telefonit i dërgon te dëmtuarit një porosi me zë duke iu drejtuar me fjalët kërcënuese ne gjuhen boshnjakes se “do të masakroj”, me çka me këtë veprim tek i dëmtuari ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë
“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se hetimet në këtë çështje penale sapo kanë filluar, dhe duke pasur parasysh peshën e veprës penale, me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku potencial që i njëjti mund të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, pasi që nga koha kur dyshohet të ketë kryer veprën penale ka qenë i paarritshëm për Policinë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Gjykata ka ardhur në konstatimin se ekzistojnë arsye për caktimin e paraburgimit, pasi që i pandehuri dyshohet për kryerjen e veprës penale të Mashtrimit edhe në disa raste të tjera në Republikën e Kosovës, këto fakte tregojnë vendosmërinë e të pandehurit për të kryer vepra penale të kësaj natyre, andaj caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, me qëllim të parandalimit të përsëritjes së veprës penale.
Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij. /Telegrafi/