Site icon Telegrafi

Ia hoqi kredencialet tre inspektorëve, KPMSHCK shfuqizon vendimet e Bujar Ejupit nga Autoriteti i Aviacionit Civil

Sindikata e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil ka bërë të ditur se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil ka shfuqizuar tre vendime të Drejtorit të Përgjithshëm të AAC-së, Bujar Ejupi, përmes të cilëve ky i fundit thuhet se kundërligjshëm kishte vendosur për tërheqjen e kredencialeve të disa inspektorëve të AAC-së

Vendimi është marrë më 16.09.2022 thuhet në njoftimin e Sindikatës së Punëtorëve të AAC-së.

“Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil ka shfuqizuar tre vendime të Drejtorit të Përgjithshëm të AAC-së z. Bujar Ejupi, përmes të cilëve ky i fundit kundërligjshëm kishte vendosur për tërheqjen e kredencialeve të disa inspektorëve të AAC-së.

Përmes një vendimi hakmarrës z. Ejupi ua kishte tërhequr kredencialet 3 inspektorëve në AAC. Njëra inspektore mbante kredencialet nga viti 2007 në AAC, njëherit është inspektorja e parë femër në fushën e aviacionit në Kosovë, ndërsa tjetri ishte inspektori i vetëm i rregullimit ekonomik të aviacionit në Republikën e Kosovës dhe njëherit udhëheqës i SPAAC.

Inspektori i tretë është profesionist me përvojë disa dekada në operimet me helikopter. Përmes këtyre vendimeve z. Ejupi ka dëshmuar se është i gatshëm të degradojë kapacitetet mbikëqyrëse të aviacionit në Republikën e Kosovës të ndërtuara me vite në AAC, për shkak të inateve të tij personale”, thuhet në njoftim.

KPMSHCK ka konstatuar se “vendimi është i paligjshëm pasi është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat e ligjit material, ligjit për procedurën e përgjithshme administrative dhe aktet e brendshme normative që përcaktojnë kushtet dhe kriteret për dhënien dhe mbajtjen e kredencialeve të inspektorit në AAC”.

“Kolegji i Këshillit ka gjetur se arsyetimi është dukshëm i pamjaftueshëm, i paqartë, kundërthënës apo i pakuptueshëm dhe është i barabartë me mungesën e tij”.

Po ashtu më 16.09.2022, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil ka marrë edhe një tjetër vendimi pozitiv për anëtaren tonë të cilës Drejtori i Përgjithshëm i AAC-së përkundër plotësimit të kushteve dhe  rekomandimit nga drejtori i departamentit përkatës, në mënyrë të padrejtë i ka mohuar lëshimin e kredencialeve të inspektorit. KPMSHCK ka potencuar se “duhet të aplikohet standardi i njëjtë me qëllim që të mos ketë elemente të diskriminimit për ndonjë zyrtar të caktuar për faktin se kemi të bëjmë me investim profesional dhe financiar nga institucioni i njëjtë”, thuhet më tej.

Në komunikatë theksohet se procesi i përgatitjes së inspektorëve, që janë staf kyç në AAC, merr disa vite përgatitje e cila është shumë e kushtueshme për institucionin.

“Lehtësia me të cilën Ejupi ka vendosur t’i degradojë këta inspektorë dëshmon qëllimet e tij karshi AAC-së. SPAAC u bën thirrje edhe njëherë institucioneve përgjegjëse në Republikën e Kosovës dhe Qeverisë të kthejnë normalitetin në AAC para se të degradohet përfundimisht ky institucion me rëndësi të veçantë për sigurinë e aviacionit civil në Republikën e Kosovës”.

Ndryshe, për këtë çështje ka pasur edhe një raport të Avokatit të Popullit. /Telegrafi/

Exit mobile version