Ky është momenti kur një vandal gërvishti me paramendim një veturë luksoze Porsche Cayenne në vlerë prej rreth 100 mijë dollarë përpara se të linte një shënim duke fajësuar shoferin e saj për “spërkatjen” e qenit të tij ndërsa ishte duke ecur në shi.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, kanë qenë kamerat e sigurisë jashtë shtëpisë së pronarit të automjetit në periferinë e pasur të Richmond, Surrey, ato që kanë kapur burrin duke gërvishtur veturën me dashje.
Siç thuhet më tej, ai “tërhoqi një objekt të mprehtë poshtë në të dy anët e automjetit” duke shkaktuar një dëm prej 10,000 dollarësh dhe la një shënim ku shkruhej: ‘Faleminderit që më spërkatët mua dhe qenin tim, ju ****”.
Pronari i makinës ka raportuar sulmin në polici, por ka mbetur i tronditur nga vandalizmi i pakuptimtë.
Ai ka thënë: “Sinqerisht nuk mbaj mend të kem spërkatur dikë që po ecte me qenin e tij ndërsa po vozisja në shtëpi”.
“Nëse do të bëja rastësisht, do të kërkoja falje. Po binte shi dhe unë isha thjesht në rrugën time për në shtëpi si çdo ditë tjetër”.
“Por të bësh kaq shumë dëme në një makinë është thjesht e gabuar. Ky njeri duhet të kapet para se të bëjë ndonjë gjë më keq. Pse dikush do të ishte aq i zemëruar dhe i keq”. /Telegrafi/