Pos të pagjeturve, Serbia nuk ka dhënë përgjegjësi edhe për shumë vrasje që ka bërë në Kosovë. Një ndër ta, është edhe nëna e Sefedin Mziut, që rrëfen momentet se si forcat serbe ia dhunuan dhe masakruan nënën në luftën e fundit.
Sefedin Mziu e ka nga nëna e tij një kujtim vetëm një foto. E krejt çka kujton nga ajo, është imazhi kur ai ishte vetëm dy vjeçar. Edhe pas njëzet viteve, për Sefedinin dhimbja ende vazhdon të jetë e madhe.
“Kam në dorë një vërtetim që thuhet se Nazmije Adem Mziu e lindur në Mitrovicë, në moshën 35 vjeçare gjatë luftës është masakruar. Është cekur shumë mirë se është prerë, i është hequr koka pasi që ishte dhunuar nga paramilitarët serb”, rrëfen i trishtuar Sefedin Mziu për fatin e së ëmës.
Me tërë këto emocione e dhimbje, Mziu vazhdon të rrëfejë se si forcat serbe masakruan nënën e tij.
“Rasti ka ndodhur brenda shtëpisë së Kamer Ademit në lagjen “Ilirida” në Mitrovicë. Vlen të theksohet se incizimi është bërë nga KMDLNJ-ja. Trupi i pajetë i Nazmijes ka qenë me duar dhe këmbë të lidhura”, tregon më tej Sefedin Mziu, përcjell Telegrafi.
Sefedin Mziu ka thënë se është i zhgënjyer me punën e institucioneve vendore, teksa kërkon me ngulm që drejtësia të vihet në vend.
“Unë jam totalisht i zhgënjyer nga ky vend e këto vendime…Unë detyrohem të shkojë në Gjykatën e Strasburgut për të ditë kur ma ka vrarë e grirë nënën. A nuk është keç kjo a?”, shprehet më tej Sefedin Mziu.
Mbi 13500 njerëz, llogaritet të jenë vrarë në luftën e fundit në Kosovë. /Telegrafi/