Më në fund, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, shpalli 15 nëntorin e këtij viti si datë për mbajtjen e zgjedhjeve për pushtetin komunal, duke i dhënë kështu fund një varg këshillimesh me partitë politike dhe debateve rreth datës së tyre.
Në arsyetimin e caktimit të mu kësaj dite për mbajtjen e zgjedhjeve lokale thuhet: “kjo datë është zgjedhur për shkak se me ligjet ne fuqi, zgjedhjet lokale të sivjetme parashihet të mbahen në fund të mandatit të pushteteve komunale të dala nga zgjedhjet e 17 nëntorit të vitit 2007”.
“Shumë bukur, z. President”- do të thoja unë me këtë rast – Pasi na qenka ashtu, atëherë pse me këto takime të kota e maltretuat veten së pari, dhe më pas edhe pjesëmarrësit tjerë, kur nga vetë logjika e përmbajtjes së këtij arsyetimi që po e jepni, shihet qartë se gjitha ato biseda dhe negociata paraprake, kanë qenë të panevojshme. Sikur po e vërej unë, z. President, me këtë punë ja keni bërë si në frymën e porosisë së asaj urtësie tonë popullore: ”Pyeti 100 vetë, e në fund bëj sikur di vetë” Po ashtu, duke i pasur për bazë mënyrat e gjertanishme të vendimmarrjeve tuaja për shumë çështje të rëndësishme për vendin, edhe në këtë rast, më bëhet të dyshoj se keni vendosur tërësisht vetë si i pavarur, pa ju sufleruar dikush si gjithnjë prapa kulumineve, nga ana e miqve tanë ndërkombëtarë.
Por, prapë se prapë mendoj se, edhe kështu si mbaroi, duhet thënë shyqyr, sepse ju dini edhe më ndryshe. Dini edhe më keq! Mu ashtu sikur vepruat me caktimin dhe komentimin e Kushtetutës dhe Dokumentin të Ahtisaarit, te rasti i mbajtjes apo mosmbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme qendrore. Atëbotë, nuk ju shkoj mendja që njëjtë kështu, së paku edhe formalisht t’i ftoni dhe t’i këshilloni partitë dhe subjektet tjera politike në Kosovë!!?
Sido që të jetë, nga kjo mbase kotësi, nëse asgjë tjetër, së paku ne si qytetarë përfituam diçka: mësuam se për disa vikende të muajve shtator dhe tetor të këtij viti, do të jetë moti i kthjellët, pa të reshura atmosferike, pa mjegull, dhe me temperatura të përballueshme.
Dhe, më në fund, zaret janë hedhur! Dita “D” e shpresës së shumëpritur tanimë dihet edhe zyrtarisht. Ky është 15 nëntori. Si duket, tek disa partitë politike, përgatitjet për këtë ditë të madhe të “demokracisë kosovare” moti kanë nisur dhe ato mundemi t’i vërejmë në debatet e deputetëve tanë në Parlamentin e Kosovës.
Është po ashtu diçka interesante se, pas caktimit të datës së zgjedhjeve, edhe pse praktikisht më së shumti është dashur t’i gëzohen partitë politike, ndodhi e kundërta: Unë vërej se disponimi zgjedhor, më së miri po na përgjigjet neve. Popullit. Po, po! Popullit! Jo pse kjo datë do të na ofroj mundësinë e shfrytëzimit e të drejtës dhe obligimin tonë kushtetues si qytetar, që të zgjedhin dhe të jemi të zgjedhur, por, mu pse gjatë muajve të ardhshëm, në të gjitha qytetet tona, anë e kënd Kosovës, do të kemi mjaftë përurime të objekteve kapitale infrastrukturore.
Si duket, nga trendi i gjertanishëm përurues me gërshëra përherë në gjep për prerjen e shiritave, në këtë faze më atraktiv do të jenë: ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z. Enver Hoxhaj, dhe ai i Transportit dhe Telekomunikacionit z. Fatmir Limaj. Aty-këtu, varësisht nga rëndësia e veçantë që ka ai objekt, ka mundësi që këtyre, tani e tutje, si më shpesh, do t’ju bashkëngjiten edhe presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi. Jo vetëm kaq! Që nga ky moment, e deri tek dita e daljes para kutizave votuese, ne si qytetarë të thjeshtë, do të jemi të privilegjuar që politikanët tanë, do të na lusin neve. E jo ne ata. Ata do të jenë gjithnjë pranë nesh; gojëmbël dhe elokuent, duke na premtuar urra edhe aty ku nuk ka lume dhe shumë e shumë mrekulli tjera iluzore për një jetë më të lumtur në të ardhmen.
Sigurisht se në këtë periodë parazgjedhore, një krenari të veçantë dhe të merituar, do ta kenë mediat tona të shkruara dhe elektronike. Gjatë kësaj etape, atyre do t’ju kthehet rëndësia e vërtet dhe dinjiteti i merituar që duhet ta kenë gjithmonë në një shoqëri. Nga të gjithë politikanët, pa marrë parasysh rangun dhe nivelin e posteve shtetërore dhe partiake që kanë, gazetarët tanë, nuk do të refuzohen dhe maltretohen për intervista dhe çfarëdo kërkese tjetër. Pa dyshim se, në këtë përfitim rasti, do të kalojnë mirë edhe shtëpitë e tyre informative-mediale. Ndoshta edhe më së miri nga të gjithë. Ato, duke qenë si më të kërkuara nga autoritetet e ndryshme politike, përveç ndjenjës morale të superioritet që do të kenë, në këtë periodë parazgjedhore nuk do të kalojnë edhe aq keq me përfitime financiare nga reklamat e fushatave zgjedhore, që mbase do t’i kenë me bollëk.
Por, mbi të gjitha, si atraksion më të shprehur në këtë periodë paraelektorale, do të kemi rivalitetin principiel dhe joprincipiel në mes të: PDK-së dhe AAK-së,- si parti; në mes të Dukagjinit dhe Kosovës, – si regjione; në mes të pozitës në pushtet dhe opozitës më kritikbërëse të saj, gjegjësisht, përplasja në mes të “Rambos” dhe “Gjarpërit”.- si dy figura më të shquara nga lufta e fundit e UÇK-së në Kosovë?!
Ndoshta mund të del nga pak qesharake, por mua, nga e gjitha ajo maskaradë që pritet të na ngjaj gjatë asaj periode, më së tepërmi më gëzon fakti se, sa po afrohet dita e zgjedhjeve, ne gjithnjë e më pak po kemi reduktime të rrymës…!??
Dhe, krejt në fund, na qofshin për hajër këto zgjedhje të lira dhe demokratike për pushtetin lokal, e, posaçërisht kur ato për parën herë do të na mbahen në Kosovën tonë si shtet të pavarur dhe sovran. I lutem Zotit që ishalla, për ministrin tonë të administrimit lokal , z. Sadiri Ferati, këto zgjedhje do të mbahen në sa më shumë komuna të reja të decentralizuara dhe me sa më shumë serb të vetëdijesuar se e ardhja e tyre më e mirë është në këtë “sui generis” Kosovë demokratike dhe multietnike, të cilën si shembull se gjen dot askund tjetër në botë…?!!