Policia: U arrestua Jakup Nura
Policia e konfirmon se ka arrestuar J.N. (Nënkoloneli i FSK-së, Jakup Nura) si dhe ka konfiskuar pistoletën me të cilën plagosi një person, në tentim për ta vrarë.
Policia bënë të ditur se rreth orës 09:30, policia ka marrë informacionin se në rrugën “Eqrem Çabej” në Prishtinë, ka pasur të shtëna me armë zjarri.
Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes.
Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëj me vrasje në tentativë ku nga arma e zjarrit ka marrë plagë viktima: Z. T, mashkull, 40 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili menjëherë është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.
Policia me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin, duke bërë kështu identifikimin dhe arrestimin e një personi të dyshuar.
I arrestuari sipas Policisë është J. N. mashkull 48 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.
Në vend të ngjarjes ekipet policore kanë konfiskuar për ekzaminim të mëtejmë: një gëzhojë si dhe një pistoletë Beretta (cal. 7.65).
Personi i dyshuar është dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit të shtetit për përfundimin e procedurave të nevojshme policore.
Nënkoloneli i FSK-së, Jakup Nura, plagosi një person
Bëhet e ditur se është Jakup Nura, nënkolonel i FSK-së, ai që plagosi një person, sot rreth ores 09:30, afër Fakultetit Filologjik në Prishtinë.
Një i plagosur afër Fakultetit Filologjik
Bëhet e ditur se para pak çastesh ka ndodhur një plagosje, afër fakultetit Filologjik, më konkretisht afër ëmbëltores “Edi 2”.
Rastin në fjalë e ka konfirmuar edhe zyrtarja për informim e policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 09:30, kemi pranuar një informatë për të shtëna me armë në rrugën “Eqrem Çabej”. Një person është plagosur, i cili është dërguar në QKUK, kurse një tjetër është arrestuar. Ekipet po vazhdojnë të merren me rastin”, ka thënë Ahmeti. /Indeksonline/