Telegrafi

I papërmirësueshëm

Ish shefi i Shtyllës IV të UNMIK`ut Paul Acda, tash tri ditë ka ndaluar punëtorët e AKM`së, tash Agjensionit Kosovar të Privatizimit, të futën në objektin e tyre. Askush nuk po mund t`i bie në fije se pse është koqitë Acda rreth kësaj pune. Për këtë është alarmuar edhe qeveria e Kosovës, e cila tashmë iu ka drejtuar ICO`së për ndihmë të zgjidhjes së këtij problemi.

Sipas burimeve të Express, problemin kryesor Acda e ka me drejtuesit e UNMIK`ut në lidhje me kompetencat e menaxhimit të doganave. Acda është caktuar, që pasi ta lëshojë vendin e tij si shefi i Shtyllës së IV dhe të AKM-së, si pjesë e stafit të EULEX-it të udhëheqë më mbikëqyrjen e doganave. Acda ka qenë drejtor i doganave, thuajse prej themelimit të këtij institucioni.

Për shkak të kaosit organizativ dhe të kompetencave, UNMIK dhe ICO nuk po mund të merren vesh se kush do të udhëheq më Shërbimin Doganor, në ketë periudhë transitore. E tash Acda, duke mos e pasur të qartë rolin e tij të ardhshëm e ka bllokuar AKM-në, tash i njohur si Agjensioni Kosovar i Privatizimit. Ai ka mbyllur të gjitha dyert e AKM-së, duke mos i lënë punëtorët t’i kryejnë detyrat e tyre.

Qeveria ka reaguar në lidhje me këtë çështje dhe ka kërkuar nga ICO që ta ndalë Paul Acden. Zëdhënësi i qeverisë Hajredin Kuçi, tha se janë njoftuar me këtë rast dhe se janë habitur se pse po ndodh kjo. Ai thotë se as nuk kanë ndonjë njoftim apo sqarim të detajuar në lidhje me këtë bllokadë. Për këtë punë, Kuçi tha se kanë lajmëruar ICO`në prej së cilës kanë kërkuar ndihmë për evitimin e këtij problemi.

Zëvendëskryeministri deklaroi se qeveria, do të marrë të gjitha masat për të ndaluar këtë veprim të Acdes dhe t`i krijojë mundësi pune këtij Agjencioni të cilit, sipas tij, i garantohet liria në punë me ligj dhe kushtetutë.

“Ne si qeveri jemi njoftuar me këtë punë dhe nuk e kemi ende të qartë se pse Paul Acda dhe me çfarë arsye nuk ka lejuar që ky institucion të kryej punën e vetë”, tha zëdhënësi Kuçi.

Burimet e gazetës thonë se nëse ky problem nuk zgjidhet brenda disa ditësh, ka mundësi që Qeveria të urdhëroi policinë që t’i hapin dyert e AKM-së dhunshëm.

Në anën tjetër drejtuesit e Zyrës Civile Ndërkombëtare, ICO, e paraqesin këtë si një problem të vogël dhe logjistik. Ata thonë se edhe pse tranzicioni i AKM`së në Agjencion të Privatizimit është bërë me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës e cila është bërë me 5 qershor të këtij viti, nuk është kryer në tërësi.

Zyre për marrëdhënie me media e kësaj organizate, tregon se takimi i parë mes ICO`së dhe AKP`së pritet të caktohet së shpejti pas përgatitjeve të nevojshme dhe koordinimit mes anëtarëve të Bordit. Sipas tyre anëtarët e Bordit të AKP`së si dhe drejtori i sekretariatit ekzekutiv janë emëruar nga përfaqësuesi civil ndërkombëtar Pieter Feith, në përputhje me mandatin e tij që buron nga plani i Ahtisaarit.

“Në ndërkohë hisedarët kryesor janë duke i diskutuar aspektet përfundimtare dhe aspektet logjistike të tranzicionit nga AKM`ja në AKP dhe ICO është në kontakt me gjitha palët e rëndësishme lidhur me këtë çështje”, thotë zyra e për marrëdhënie me media. Për këtë punë janë aranzhuar edhe disa takime të cilat pritet të bëhen sot mes Agjencionit Kosovar të Privatizimit, Qeverisë së Kosovës dhe organizatave civile ndërkombëtare.( Gazeta Express)