Gregory Feifer
Surpriza më e madhe lidhur me reagimin rus ndaj rrjedhjes së dokumenteve të Panama Papers erdhi në formën e një posteri, që e përshkruante presidentin rus Vladimir Putin si protagonistin e droguar që luhet nga Johnny Depp në versionin e filmit të Hunter S. Thompson “Fear and Loathing in Las Vegas” — i kompletuar me kapelën e Panamasë, syze aviatori dhe duke mbajtur një cigare. E vendosur në një stacion autobusi në qendër të Moskës për disa orë përpara se autoritetet ta hiqnin, në poster shkruhej: “Çfarë Panamaje?”
Posteri i rrallë sfidues në publik shërbeu kryesisht për të tërhequr vëmendjen për apatinë e përgjithshme të publikut – ajo nuk shihet si surprizë në një vend ku propaganda shtetërore nxit dyshimet e gjera se shumica e zhvillimeve të jashtme janë komplote kundër Mëmës Rusi. Edhe sikur të ishte një puç Perëndimor, sidoqoftë, zbulimet nga rrjedhja e dokumenteve do ta trondiste besueshmërinë; mbi të gjitha, informacionet zbuluan se një grusht individësh nga rrethi i ngushtë i Putinit kishin transferuar të paktën 2 miliardë dollarë në kompanitë offshore karaibike, përfshi Sergei Roldugin, një violonçelist i panjohur nga Shën Pjetërburgu, që është kumbari i njërës prej vajzave të Putinit.
Megjithatë, përgjigja e presidentit qe edhe më e pabesueshme. Duke i hedhur poshtë akuzat për Roldugin si pjesë e komplotit amerikan për të minuar unitetin rus, duke goditur një muzikant të përulur, ai tha se miku i tij i vjetër ka depozituar vetëm para, të cilat i ka fituar ndershmërisht në vend dhe ato kishte ndërmend t’i përdorte për të blerë instrumente që do t’i jepte në bamirësi.
Kur një justifikim qesharak i këtij niveli përdoret për të hedhur poshtë një pretendim të tillë, sado rrethanor, që provon një korrupsion masiv – dhe në momentin kur Putini tashmë ka kohë që e ka zhytur vendin në recesion, izolim ndërkombëtar dhe shtypje – ka fare pak shpresë se shoqëria do të zgjohet ndonjëherë dhe do të ngrihet kundër një tirani, i cili duket se merr fuqi nga pafytyrësia e mohimeve të tij.
Të pyetur nëse përballë një çështjeje kaq të zymtë, opozita e cunguar më në fund do të arrijë të ketë ndikim te rusët, kritikët e pakët të mbetur të Putinit, zakonisht përgjigjen me mallkime dhe përsërisin thënien e përhershme se politikanët e pavarur janë të pashpresë, të kotë dhe të mposhtur.
Ndoshta. Trimat e opozitës, udhëheqësit që vuajnë prej kohësh janë neutralizuar me burgosje, ekzil, tallje dhe vrasje. Lëvizja mori një tjetër goditje të fortë më herët gjatë këtij muaji, kur një kanal shtetëror televiziv rus transmetoi videon e një tjetër lideri të rëndësishëm, ish-kryeministrit Mikhail Kasyanov, të kapur nga një kamera e fshehtë e cila e shfaqi babanë e dy fëmijëve, teksa bënte seks me sekretaren e tij. Edhe më keq akoma për një lëvizje, sherret e brendshme të së cilës ia kanë bërë punën më të lehtë Kremlinit, ai u filmua edhe duke përfolur udhëheqësit e tjerë të opozitës, njëri prej të cilëve më pas kërkoi që Kasyanov të përjashtohej nga koalicioni i tyre.
Një tjetër kanal televiziv, disa ditë më pas transmetoi një letër që pretendonte se dëshmonte se shërbimet e fshehta amerikane dhe britanike kanë rekrutuar kryqtarin antikorrupsion Alexei Navalny, me ndihmën e menaxherit të fondeve amerikane dhe kritikut të Putinit William Browder. Në një tjetër shfaqje komike dhe me mungesë të theksuar profesionalizmi, dokumentet që paraqiti stacioni si provë kishin gabime në anglishte, që folësit e gjuhës mëmë vështirë se mund t’i bënin – por të cilat rusët i bëjnë zakonisht.
Një paaftësi e tillë do të ishte komike po të mos ishte e dëmshme. Kur Putini dhe rrethi i tij i ngushtë po përvetësojnë miliarda të përfituara në mënyrë të paligjshme, duke u mbështetur te autoritarizmi dhe propaganda që e bën të duket epokën e vjetër komuniste si të sjellshme dhe të arsyeshme, është më e rëndësishme se kurrë për vendet perëndimore që të bëjnë çfarë të munden për ta minuar lojën e Moskës.
Thesari amerikan thotë se tashmë po rrëmon ndërmjet miliona dokumenteve të Panama Papers për informacione për këdo që mund ta ketë ndihmuar Kremlinin që të shmangë sanksionet Perëndimore. Emrat e tyre mund t’i shtohen listës së zezë në qershor, kur vendet e Bashkimit Evropian pritet të votojnë për zgjatjen e sanksioneve. Por duhet të bëhet më shumë. Njerëz si Roldugin (violinçelisti) dhe të tjerët që besohet se po e ndihmojnë regjimin e Putinit që të transferojë tutje miliarda, duhet të jenë subjekte të sekuestrimit të aseteve dhe të mosdhënies së vizave, dhe Kremlini duhet të trajtohet përgjithësisht si organizata kriminale që është.
Ndërmjet thirrjeve për këto masa, Alexander von Hahn— një baron rus, pasardhësit e të cilit përfshijnë edhe një guvernator të bankës perandorake të Car Nikollës II – e karakterizon Putinin si trashëgimtar direkt të regjimit jolegjitim bolshevik. Von Hahn, që jeton në Gjermani, po krijon një grup që quhet Këshilli Rus, me emërtim si organizata e ngritur nga udhëheqësi i Ushtrisë së Bardhë, gjenerali Pyotr Wrangel pas revolucionit rus të 1917-s, që të shërbenin si një qeveri e përkohshme për forcat antibolshevike. Ajo trashëgimi, thotë Von Hahn, mund të shërbejë si bazë për ngritjen e një qeverie legjitime post-Putin. “Duhet të faksojmë një vend për një pikënisje të re për të rikthyer të drejtat bazike për qytetarët rusë”, tha ai.
Edhe pse ai e pranon se të shohësh në thellësi të të metave të epokës cariste është kontradiktore, këmbëngul se duhet ndarë interesi i popullit rus nga ai i udhëheqësve aktualë të Kremlinit, pasi beson se kursi aktual përbën një fund vdekjeprurës. “Zgjedhjet nuk funksionojnë në Rusi,” tha ai. “Opozita nuk mund të ofrojë asgjë, ajo vazhdon të përsëritë të njëjtat gjëra pafundësisht”.
Gjasat që ky mesazh ta thyejë murin e madh të propagandës ruse janë thuajse zero, çka e bën këtë tepër shqetësuese për qeveritë e huaja. Panama Papers ekspozoi në mënyrë të mëtejshme se sa lehtësisht ngatërrestarët ndërkombëtarë si Putini mund t’i anashkalojnë sanksionet globale te të cilat janë mbështetur vendet perëndimore dhe organizatat ndërkombëtare. Më shumë se sa vetëpasurimi për të pasurit dhe të fuqishmit, shmangia e taksave dhe fshehja e pasurive masive ndihmoi në zhbërjen e projektit evropian. Kjo sepse një gjë e tillë po ndihmon dhe i bën të mundur një regjimi që të financojë grupet radikale nacionaliste në Evropë, dhe po përdor furnizimit e mëdha me energji të Rusisë për të kërcënuar dhe korruptuar udhëheqësit perëndimorë, dhe të nxisë konfliktet e ngrira për të manipuluar fqinjët e tij. Fluturimet e rrezikshme të avionëve luftarakë rusë vetëm 15 metra mbi destrojerin amerikan në Detin Baltik të javës së kaluar, dhanë një tjetër përkujtesë se pasuria e Putinit është gjithashtu një shqetësim për sigurinë Perëndimore.
Ka shumë shenja se Panama Papers po bëhen katalizatori për të luftuar një prej plagëve të epokës tonë. Kryeministri i Islandës dha dorëheqjen, dhe fuqitë e G-20-s kanë premtuar se do t’i heqin masat për sekretin e kompanive që mundësojnë shmangien e taksave dhe të pastrimit të parave. Ngrirja e aseteve të miqve të Putinit që dalin te Panama Papers – dhe e të tjerëve – do ta forconte efektin e sanksioneve ekzistuese, të cilat, së bashku me çmimet e naftës, po bëjnë kërdinë në ekonominë ruse. Ky do të ishte një fillim; vendet Perëndimore më në fund mund të nisin të luftojnë satirat gjigante të pastrimit të parave, që kryen nëpërmjet blerjes së pronave në Nju Jork, Londër, Majemi dhe gjetkë.
Vetëm sepse shumë rusë i pranojnë krimet e pacipa të Putinit, kjo nuk do të thotë se të tjerët në botën e lirë duhet të qëndrojnë gjithashtu duarlidhur.
Pas mbledhjes së parë të Këshillit NATO-Rusi në shumë vite, kreu i Aleancës u shpreh pesimist për mundësinë e një bashkëpunimi mes tyre. “Kjo është ende e pamundur”, tha Jens Stoltenberg, duke cituar si shkak për këtë shkeljen e ligjit ndërkombëtar nga ana e Moskës.
Gjithsesi, ai e vlerësoi atmosferën në takimin e parë të këtij lloji, që prej aneksimit të Krimesë nga Ukraina në fillim të vitit 2014.
“Mendoj se patëm një takim të sinqertë dhe të frytshëm. NATO dhe Rusia kanë mosmarrëveshje të thella e të vazhdueshme dhe takimi i sotëm nuk e ndryshoi këtë”, deklaroi Stoltenberg.
Ai rikonfirmoi mbështetjen aktive ndaj separatistëve në rajonet lindore të Ukrainës dhe përsëriti se Aleanca nuk e njihte administratën ruse në Krime.
“Aleatët nuk e njohin aneksimin e paligjshëm të Krimesë. Ne theksuam se intensifikimi i shkeljeve të armëpushimit në lindje të vendit është thellësisht shqetësues, ashtu si edhe incidentet e rralla që shënjestrojnë monitoruesit e OSBE”, vijoi Stolkenberg.
E megjithatë, Stoltenberg shtoi se do t’i ruanin të hapura kanalet e komunikimit me Rusinë në mënyrë që të reduktonin rreziqet në incidentet e lidhura me mbrojtjen.
Ndërkohë, zëvendësministri rus i Mbrojtjes, Anatoly Antonov, tha për mediat ruse se përballë rritjes së pranisë ushtarake të NATO-s në vendet e Europës Lindore, Moska po ndërmerr masa parandaluese, duke fuqizuar mbrojtjen në kufijtë perëndimorë të vendit.
Antonov i cilësoi si mjaft të rrezikshme planet e NATO-s, por theksoi se nuk do të bëheshin pjesë e asaj që e quajti një garë armësh, pavarësisht se kush ja impononte këtë.
Rusia disponon një “prani ushtarake të konsiderueshme” në Siri, pavarësisht njoftimit të tërheqjes së pjesshme të trupave të saj, deklaroi sot në Ankara, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Pavarësisht shpalljes së një tërheqjeje të pjesshme, ne kemi konstatuar që Rusia ka një prani të konsiderueshme ushtarake për të mbështetur regjimin e Assadit në Siri”, u shpreh Stoltenberg, duke shtuar se edhe pse ai ishte në vështirësi, armëpushimi mbetet baza më e mirë për një zgjidhje paqësore të negociuar të krizës.
Këtë javë, pamë një tjetër sfidë shqetësuese ndaj lirisë së lundrimit dhe marinës amerikane. Dy avionë luftarakë rusë fluturuan mbi anijen amerikane U.S.S. Donald Cook në Detin Baltik, teksa po kryente operacione me aleatët polakë. Avionët e paarmatosur, që fluturuan pranë me shpejtësinë e zërit, kaluan 15 metra larg urës së anijes dhe ndërmorën disa manovra që kishin për qëllim simulimin e një sulmi ndaj mjetit lundrues amerikan.
Sipas një nënadmirali të dalë në pension, Doug Crowder, ish-komandant i flotës së 7-të të marinës amerikane, pilotët rusë nuk kryen vetëm një sjellje të rrezikshme, por kishin edhe një qëllim. Ata vepruan për të përçuar një mesazh të presidentit rus Vladimir Putin: Baltiku është një protektorat i Rusisë, dhe çdo manovër nga Amerika apo nga miqtë e saj lejohet vetëm me pëlqimin e Rusisë.
Ky perceptim u përforcua edhe nga admirali i dalë në pension James Stavridis, i Komandës Supreme të NATO-s dhe tani dekan i Fletcher School of Diplomacy at Tufts: “Qartësisht avioni po vepronte me autorizimin e plotë të zyrtarëve rusë, duke parë përgjigjen e tyre tejet të zbehtë kur u sfiduan nga autoritetet amerikane. Provokimi tejet joprofesional i anijes amerikane në Baltik, na kthen në mendje ditët më të këqija të Luftës së Ftohtë. E gjithë kjo është një lojë me zjarrin në një zonë të botës, e cila është tashmë e mbushur me tension global”. /mapo/