Telegrafi

I ofron të bijën gazetarit i cili e gjuajti Bushin me këpucë

Edhe vet e bija Amal Saad Gumaa, përndryshe studente në universitetin Minya në Egjiptin qendror, është pajtuar me idenë.

"Do ta kisha për nder. Do të doja të jetoj në Irak, posaçërisht me këtë hero", ka thënë ajo në një bisedë telefonike për agjencinë e lajmeve Reuters.

Babai i saj, Saad Gumaa, ka deklaruar se e ka thirrur vëllain e Zaidit me emrin Dergham dhe ia ka paraqitur këtë ofertë martese.

"Nuk kam mundur të gjej diçka më të vlefshme që t’i ofroj, kështu që jam i gatshëm t’i siguroj asaj krejt ato çfarë i nevojiten për martesë", ka shtuar ai.

Veprimi i Zaidit ka shkaktuar jehonë të madhe në mbarë botën, e veçanërisht është mirëpritur në mesin e arabëve të cilët e gjykojnë Bushin për invazion në Irak dhe mbështetje ndaj Izraelit.

Zaidi ende nuk ka dhënë përgjigje të saktë për ofertën e martesës.