Telegrafi

“I dashur armik”, në Torino

Filmat janë përzgjedhur nga vetë banorët e Torinos pas një sondazhi dhe duket se komuniteti shqiptar ka përzgjedhur filmin e Xhuvanit. "I dashur armik" është pjesë e seksionit "Udhëtim në kohë", i cili i kushtohet filmave që rrëfejnë historinë e vendeve. Nëpërmjet këtij filmi, regjisori Xhuvani ka përcjellë historinë e Shqipërisë dhe fundin e pushtimit fashist në vend. Shqipëria e vitit 1943, kohë kur Italia fashiste ka kapitulluar, ndërsa nazistët kapërcejnë urën e Bunës.

Në Festivalin e 12 të Filmit Shqiptar, aktori kryesor në këtë film, Ndriçim Xhepa, është vlerësuar si aktori më i mirë. Filmi, po ashtu, është vlerësuar edhe për kostumografinë më të mirë. Filmi "I dashur armik" është realizuar nga regjisori Xhuvani pas një tjetër filmi të suksesshëm "Parullat".

Dhe në këtë prodhim të ri kinematografik, Xhuvani ka zgjedhur të bashkëpunojë me të atin, Dhimitër Xhuvanin, i cili do të jetë sërish në rolin e skenaristit. Megjithatë, Xhuvani shpesh ka pohuar se edhe vetë ka ndërhyrë në skenar me sugjerime të ndryshme. /Shqip/Telegrafi/