Hyundai po ndërmerr hapa seriozë për t’u pozicionuar në tregun e automjeteve elektrike. Kompania është duke u fokusuar në zhvillimin e baterive me litium hekur fosfat (LFP) me kapacitet të lartë për automjetet e saj elektrike të ardhshme me kosto të ulët.
Duke synuar të arrijë një densitet energjie prej rreth 300 Wh/kg, Hyundai dëshiron t’i lë pas liderët aktualë të industrisë si CATL dhe BYD të Kinës, të cilët aktualisht janë rreth 200 Wh/kg.
Electrek raporton se një përfaqësues i Hyundai konfirmoi vjeshtën e kaluar se kompania po punon me partnerët lokalë, duke përfshirë LG Energy Solution, Samsung SDI dhe SK On, për të zhvilluar bateritë më të fundit LFP.
Fokusi kryesor është maksimizimi i kapacitetit të qelizave, ndërsa përpiqet të rrisë ndjeshëm densitetin e energjisë. Nëse Hyundai arrin objektivin e tij prej 300 Wh/kg deri në vitin 2025, do të vendoste një standard të ri në industri dhe do t’i kalonte konkurrentët e tij.
Në muajin qershor, CEO i Hyundai Motor Chang Jae-hoon njoftoi një investim të konsiderueshëm prej 7.3 miliardë dollarësh gjatë dekadës së ardhshme për të avancuar teknologjinë e baterive dhe zhvillimin e automjeteve elektrike.
Përveç kësaj, Hyundai dhe Kia kanë nisur një projekt të ri për të zhvilluar materialin katodë të baterisë LFP që synon posaçërisht prodhimin e automjeteve elektrike më të lira. Prodhuesit e automjeteve po bashkëpunojnë me Hyundai Steel dhe ExoPro BM për të krijuar një katodë të re për bateritë LFP. /Telegrafi/