Site icon Telegrafi

Hyundai ka filluar ta testojë në pistë modelin e ri i20 N

Ky mund të jetë versioni me përmasa më të vogla i Hyundai Veloster N, që testohej në pistë

Gjatë muajit të kaluar, Hyundai bëri të ditur se do ta sjellë modelin e ri i20, në versionin e divizionit N, ndërsa tani ka nisur ta testojë në pistën e Nurburgingut të Gjermanisë, transmeton Telegrafi.

Reporterët që merren me makinat e reja, e kanë parë këtë veturë me shtresa të mëdha kamuflazhi, që ngjanë shumë me një Veloster N, por me përmasa shumë më të vogla.

Megjithatë, shihet se hapësirat për ajrosje janë shumë më të mëdha, dritat i ka më ndryshe se versioni aktual, ndërsa në kulm duket e ka të fshehur edhe një krah gjigant. Brenda rrotave që kanë madhësi të njëjtë, janë vendosur disqe më të mëdha, që besohet se kanë fuqi më të madhe në frenim.

Derisa modeli i tanishëm i i20 e ka motorin me 1.0 litra që prodhon 118 kuaj fuqi, në i20 N pritet të jetë motori me 1.6 që prodhon 201 kuaj fuqi.

Nëse gjithçka shkon si është planifikuar, atëherë pas gjysmës së këtij viti, Hyundai i20 N do të dërgohet te blerësit e parë. /Telegrafi/

Exit mobile version