Telegrafi

Aleanca për shqiptarët me prurje të reja (Video)

Ziadin Sela nga Aleanca për shqiptarët sot në një konferencë për shtyp ka folur për realitetin politik në Maqedoni dhe më shumë për zgjedhjet lokale në vend.

Sela ka prezantuar integrimin e partive të reja dhe shoqatave civile, si Hysni Shaqirin dhe atë të sektorit civil, Valon Kurtishi.

Ai ka potencuar se nuk do të kishte kuptim Aleanca nëse do të ishin bashkuar vetëm disa parti apo organizata.

Ndër të tjera, edhe kryetari i BDK-së, Hysni Shaqiri, i është drejtuar opinionit para medias, duke theksuar se i vetmi koncept që duhet t’i përgjigjem është Aleanca. Ai ka theksuar se të gjithë shqiptarët duhet ta ngritin këtë subjekt në rrugëtimin e saj që është i përkushtuar ndaj interesave të shqiptarëve. Opinionit i është drejtuar edhe Zulfi Adili nga partia Uniteti dhe Valon Kurtishi nga sektori civil.

”Ne si BDK do të jemi pjesë përbërëse e integruar në Aleancë. Edhe pse nuk kemi pasur aktivitete konkrete, por si subjekt kemi ruajtur konceptin dhe kemi ardhur në përfundim se në kuadër të ApSH-së, është momenti që të japim një kontribut, duke fuqizuar votën e shqiptarëve, duke vlerësuar rëndësinë e kauzës tonë kombëtare”, ka deklaruar Shaqiri.

Valon Kurtishi ka deklaruar se, ishte nevoja edhe për sektorin civil, që të bëhet pjesë e procesit. Ftesa ishte e sinqertë nga zotëri Sela, që të japim kontribut për momente madhore.

Edhe Zylfi Adili nga Unitetit ka bërë thirrje te të gjithë shqiptarë që duan diçka ndryshe, t’i bashkangjiten Aleancës, sepse sipas tij, është opsioni që do të ndryshojë gjërat.

I pyetur se a mund të pritet ndonjë bashkëpunim në zgjedhjet lokale në mes Aleancës dhe Lëvizjes Besa, Ziadin Sela ka theksuar se nuk mundet që një individ si Vesel Memedi të pengojë bashkëpunimin apo të jetë pengesë për Aleancën për Shqiptarët. Sela ka potencuar faktin se secili duhet të jep përgjegjësi vetëvetiu për fjalën e dhënë. /Telegrafi/