Ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, i dënuar nga Gjykata Speciale me burg, ka ardhur të hënën në Kosovë.
Ai ka vizituar varrin e babait të tij, i cili të premten e 27 majit ndërroi jetë.
Se Gucati ndodhet në Kosovë për vizitë familjare e kanë konfirmuar për Telegrafin edhe nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.
“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Trupi Gjykues ka udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë. Z.Gucati mbetet në paraburgim nga Dhomat e Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, ka thënë zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep.
Ndryshe, Avdullah Gucati, babai i ish-kreut të OVL-UÇK-së, Hysni Gucatit, u varros të shtunën, në prani të një numri të madh të qytetarëve, në fshatin Morinë të Skenderajt.
Hysni Gucati mungoi në ceremoninë e varrimit, por ditë më parë ishte për vizitë në Kosovë për shkak të gjendjes së rënduar që kishte babai i tij.
Gucati është shpallur fajtor për publikimin e dokumenteve të Gjykatës Speciale dhe është dënuar me katër vjet e gjysmë burgim e dënim me gjobë prej 100 eurove./Telegrafi/