Telegrafi

Hysi shuhet edhe zyrtarisht

Skuadra e Hysit edhe zyrtarisht e ka paraqitur në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) shpërbërjen e saj, me çka nënkuptohet se ekipi bardh e zi tashmë i përket vetëm një të kaluare.

“Po, kemi marr shkresë nga Hysi, në të cilën thuhet se nuk do të marrim pjesë më në gara dhe se të gjithë lojtarët e trajnerët lirohen nga obligimet dhe se mund të kalojnë nëpër klube tjera”, ka thënë zyrtari administrativ i FFK-së, Bajram Neziri për ‘Arenën’.
Kështu, historia e Hysit tashmë është mbyllur, por sukseset e tij në futbollin kosovar sigurisht se do të mbesin të shkruara në historinë e futbollit kosovar.

Lojtarët e Hysit urgjentisht duhet të gjejnë skuadra

Afati kalimtar për lojtarë është mbyllur ditë më parë në FFK. Por, shtëpia e futbollit kosovar pritet t’ua caktojë disa ditë afat lojtarëve të Hysit që kanë mbetur rrugëve për të gjetur angazhim nëpër skuadra tjera.

“Shumë shpejt do të mblidhet Komiteti Ekzekutiv i FFK-së për ta shqyrtuar shkresën e Hysit, e po ashtu do t’ua caktoj një periudhë kohore prej disa ditëve lojtarëve të Hysit për të kaluar nëpër skuadra tjera”, u shpreh zyrtari administrativ i FFK-së, Bajram Neziri.

Për pikët e Hysit vendos Komiteti Ekzekutiv i FFK-së

Hysi u shua pas zhvillimit të më shumë se 50 për qind të ndeshjeve kampionale. Andaj, sipas rregullores, pikët e skuadrave në renditjen tabelore mbesin ashtu siç janë aktualisht, kurse në vazhdim të kampionatit do t’u shkojnë nga tri pikë secilit ekip që do të duhej të luante ndaj Hysit. Por, pavarësisht kësaj, në FFK kanë thënë se kjo çështje do të analizohet mirë nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, i cili edhe do ta interpretoi vendimin final. /KP/Telegrafi/