Hysi ka shënuar fitore përballë kampionëve aktualë me rezultat 2:0 me golat e Yll Prekopucës e Përparim Osmanit. Derisa llapjanët festuan në fundin e ndeshjes, Prishtina është ankuar përmes trajnerit Afrim Tovërlani në ndarje të drejtësisë. Sipas tij, Kreshnik Vula ishte katastrofal.
“Goli i dytë ishte pozitë jashtë loje, derisa edhe i pari mendoj se ishte gjithashtu pozitë jashtë loje. Gjyqtari kryesor Kreshnik Vula në këtë takim ishte katastrofal. Sa i përket lojës ne nuk ishim ata të 2-3 ditëve më parë. Sot na mungoi goli”, tha pas ndeshjes trajneri Afrim Tovërlani.
Ekipi llapjan mirë e nisi takimin, madje ai ka rrezikuar në sekondat e parë kur Prekopuca gjendet befasisht në zonë, gjuan, por topi qëllon mbrojtësin Kukaj. Mirëpo, atë që nuk e bëri në fillim, Prekopuca e bëri pas katër minutave lojë, kur Mentor Zhdrella harkon në zonë ndërsa ai e devijon topin duke e mposhtur Mushicën.
Prishtina, pas pësimit të golit është këndellur dhe ka pasur hapësira më të mëdha, por që nuk i shfrytëzoi si duhet. Rastin më të mirë e kishte Liridon Latifi në minutën 15’, kur bukur depërton në zonë, por nga afër nuk e mposhti portierin Blakçori. Me këtë rezultat, skuadrat shkuan në pushim.
Prishtina mirë e ka nisur pjesën e dytë kur Latifi në minutën 48’ i vetmuar gjendet në zonë, por e ngadalëson lojën duke humbur një rast shumë të mirë. Pas kësaj, loja është zhvilluar në mesin e fushës pa ndonjë aksion të mirë. Vendasit kanë rrezikuar në minutën 63’ nëpërmjet Livorekës, i cili edhe pse shumë afër nuk e gjen kuadratin e portës.
Për bardhekaltrit punët janë vështirësuar kur portieri Kushtrim Mushica përjashtohet me karton të kuq në minutën 78’, pasi që luan me dorë jashtë zonës së rreptësisë. Edhe pse mysafirët me një lojtar më pak ata sulmonin duke lënë hapësirë të madhe në mbrojtje dhe në minutën e dytë të kohës shtesë nga një kundërsulm arrin të shënojë Osmani 2:0.
“Kemi qenë të motivuar për këtë takim dhe fitoren e kemi kërkuar në bazë të lojës së mirë. Këtë e arritëm. Kjo ndeshje e arsyetoi epitetin e derbit pasi që kishte gjithçka, edhe gola edhe raste edhe duele. Unë jam i kënaqur me atë që treguam dhe mendoj se me meritë fituam”, tha trajneri i Hysit, Fadil Ademi. /Zëri/Telegrafi/